Avokati i Icardit, i habitur me vendimin e Spallettit
Paolo Nicoletti ishte avokati dhe njeriu i përzgjedhur nga Mauro Icardi për të negociuar paqen me Interin dhe pas një pune disa ditore, ia doli të gjejë një marrëveshje me drejtuesit zikaltër.
Megjithatë Spalletti preferoi të mos e grumbullojë ish kapitenin për sfidën e nesërme ndaj Lazios, ndonëse nuk ka asnjë sulmues të deklaruar në dispozicion, ndërsa ky vendim i trajnerit, ka befasuar edhe Nicolettin.
“Që ditën që u rikthye, Mauro u vendos plotësisht në dispozicion të skuadrës, me profesionalitet, duke ndjekur edhe këshillat e mia, që konvenonin me interesin e lojtarit dhe Interit dhe që i kishim akorduar me administratorin Giuseppe Marotta dhe presidentin Steven Zhang. Vendimin për të mos grumbulluar Icardin, nuk e prisja, por duke mos ditur arsyet, nuk mund të komentoj tani. Mund të them vetëm se kam folur çdo ditë me Marottën, i cili më ka konfirmuar se rikthimi i Icardit po ecën me hapa tejet pozitivë”, tha Nicoletti, duke shprehur habinë për mungesën e grumbullimit të argjentinasit.



