Dy “perla” të Korenicës i japin fitoren Prishtinës, Feronikeli ndalet në kryeqytet
Prishtina me marsh të fundit pas pauzës së shkurtër të kampionatit për ndeshjet kualifikuese të Europianit. Skuadra bardhekaltër vetëm pak ditë pasi mposhti 3-0 në derbi Flamurtarin, mori tri pikët e radhës në IPKO Superligën e Kosovës në transfertë me Ballkanin.
0-2 fitoi ekipi i drejtuar nga Mirel Josa falë sulmuesit Meriton Korenica, që rezultoi vendimtar për kryeqytetasit në pjesën e dytë. 45 minutat e para përfunduan me rrjeta të paprekura, madje nga mënyra sesi po zhvillohej loja u mendua se skuadrat do të ndanin nga një pikë, por në minutën e 73-të Korenica ekzekutoi mjeshtërisht një goditje të lirë, me topin që përfundoi në trekëndësh, ndërsa portieri mbeti I palëvizur.
Pak para se të mbyllej koha e rregullt, Prishtina realizoi golin e sigurisë me të njëjtin autor, Meriton Korenicën, që përmbylli me një të majtë të saktë një prej kundërsulmeve të shpeshta të bardhekaltërve, 2-0.
Pas golit të dytë tifozët e shumtë që kishin mbushur stadiumin për të përkrahur vendasit nisën të largoheshin, të zhgënjyer nga humbja. Me këtë sukses Prishtina ngjitet në kuotën e 54 pikëve, ndërsa Ballkani mbetet me 29 pikë.
Feronikeli nuk shkoi më shumë se një barazim pa gola në transfertën kryeqytetase ndaj Flamurtarit, duke i dhënë mundësinë Prishtinës që të rikuperojë dy pikë në renditje.
Skuadra nga Drenasi vijon të kryesojë renditjen, por tashmë distanca nga Prishtina ndjekëse reduktohet nga 5, në vetëm 3 pikë, kur kanë mbetur edhe 9 javë nga fundi i sezonit.



