Marotta shpjegon vendimin për lënien jashtë të Icardin
Administratori i Deleguar i Interit, Giuseppe Marotta ka komentuar sot vendimin e Luciano Spallettit, për të lënë sërish jashtë Mauro Icardin, edhe pse mes klubit zikaltër dhe argjentinasit dukej se ishte rikthyer qetësia para pak ditësh.
“Trajneri ka një detyrë të vështirë, por ka të drejtën të zgjedhë bashkëpunëtorët dhe futbollistët që do të hedhë në fushë e do të grumbullojë. Mbi të gjitha, të mbajë lart vlerat e klubit dhe në këtë pikë nuk mund t’i them asgjë Spallettit, sepse ka vendosur në të mirë të Interit dhe në respekt të vlerave të skuadrës”, tha Marotta.
Më pas administratori sportiv i skuadrës zikaltër i është përgjigjur edhe avokatit Paolo Nicoletti, i cili dje shprehu habinë për vendimin e Spallettit, për të lënë sërish jashtë ish kapitenin e Interit.
“E admiroj Nicolettin për profesionalizmin e tij, por nuk mund të pretendojë të dijë listën e të grumbulluarve para të gjithëve”, u shpreh Marotta.



