Spalletti “qan” përjashtimin e Icardit, Interi dorëzohet sërish përballë Lazios
Me Lautaro Martinezin e dëmtuar dhe me Mauro Icardin të lënë jashtë për një vendim deri diku kapriçoz të trajnerin Spalletti, Interi humbi një mundësi të mirë për të konsoliduar pozitat në zonën Champions të renditjes.
Ashtu si në Kupën e Italisë, zikaltrit u dorëzuan sërish përballë Lazios në “San Siro”, në një sfidë të cilën e humbën me rezultatin minimal 0-1, falë një goli të shënuar nga mesfushori serb, Sergei Milinkoviç-Saviç.
Interi e nisi mirë sfidën, duke krijuar disa raste shënimi, por në majë të sulmit ndihej mungesa e një pyke të mirfilltë, pasi Keita Balde tregoi edhe njëherë se nuk mund të luajë me shpinë nga porta.
Nga ana tjetër, Lazio mbrohej me kujdes dhe kundërsulmonte rrezikshëm, teksa në minutën e 13’ gjeti golin e avantazhit me mesfushorin serb, që shfrytëzoi mjaft mirë një krosim perfekt të Lusi Albertos, për të shtyrë topin në rrjetën e Handanoviç.
Ky i fundit më pas u bë disa herë protagonist, duke bërë pritje vendimtare, që mbajtën Interin deri në fund në lojë për të shmangur humbjen, por pasaktësia në sulmin zikaltër ishte evidente dhe topi nuk arriti të përfundojë në rrjetën e Strakoshës.
Me këtë fitore, Lazio rikthehet bindshëm në garë për një vend në zonën Champions, pasi shkon në kuotën e 48 pikëve, 3 më pak se Milani i vendit të katërt, por me bardhekaltrit që kanë edhe një ndeshje për të rikuperuar, atë përballë Udineses.
Nga ana tjetër, zikaltrit mbeten në vendin e tretë, por 9 javët e ardhshme do të jenë një betejë e vërtetë për të shpëtuar sezonin dhe për t’ia dalë, Spalletti duhet të kuptojë që ka nevojë edhe për golat e Icardit.



