Atalanta-Bologna, ora 21:00, për Berishën dhe Gjimshitin ndizet ëndrra Champions
Gabimet e shumta të dy skuadrave milaneze kanë komplikuar ndjeshëm gjithë llogaritë e kampionatit italian për zonën Champions, deri në atë pikë sa tani janë rikthyer sërish për të shpresuar edhe ekipet si Lazio, Roma dhe Atalanta.
Në Serinë A luhen dy takimet e fundit, që do të plotësojnë përfundimisht edhe kuadrin e Javës së 30-të, ku natyrisht spikat dueli i mbrëmjes, Atalanta – Bologna. Dy ekipet do të përballen në stadiumin “Atleti Azurri d’Italia”, në orën 21:00, një ndeshje që pritet me interes nga të dyja palët, pasi edhe synimet e tyre në pjesën e mbetur të sezonit janë krejtësisht të ndryshme.
Ekipi i Gasperinit është duke bërë një kampionat akoma më të mirë krahasuar me edicionin e kaluar të Serisë A, gjë që konfirmohet edhe nga numri i pikëve në renditje. Sezonin e kaluar pas 29 javëve zikaltrit krenoheshin me 47 pikë, ndërkaq për të njëjtën periudhë kohe aktualisht klubi bergamask numëron një pikë më tepër në klasifikim.
Edicionin 2017-18 Atalanta grumbulloi vetëm 13 pikë gjithsej në 9 javët e fundit, duke e mbyllur sezonin në kuotën e 60 pikëve, ndërsa tani, duke parë situatën, ekipi lombard ka rastin për të sulmuar akoma edhe më lart. Pavarësisht barazimit me Chievo-n në sfidën e fundit në shtëpi Atalanta ka grumbulluar 10 pikë në 4 ndeshjet e fundit në Serinë A, sidoqoftë e njëjta gjë mund të thuhet pak a shumë edhe për skuadrën emiliane, pasi trajneri Sinisa Mihajlovic ka rikthyer besimin dhe qetësinë te kuqeblutë, që paraqiten në këtë takim pas tre fitoreve rresht ndaj ekipeve si Cagliari, Torino dhe Sassuolo.
Falë kësaj ecurie Bologna është ngritur ndjeshëm, megjithatë rivaliteti mbetet i ashpër në shkallët e ulëta të renditjes, me skuadra të tilla si Empoli, SPAL apo dhe Udinese, për më tepër ekipi emilian rrezikon shumë në Bergamo, pasi Atalanta ka fituar radhazi 6 përballjet e fundit ndërmjet këtyre dy skuadrave.
Më herët, në orën 19:00, po në Serinë A do të luhet edhe takimi Sassuolo – Chievo. Ekipi romanjol befas rrezikon rënien një kategori më poshtë, duke patur parasysh që skuadra vendase ka grumbulluar vetëm 3 pikë gjithsej në tetë javët e fundit, madje bëhet fjalë për thjesht tre barazime, pa harrruar aspak gjithashtu edhe një tjetër fakt domethënës që Sassuolo ka fituar një ndeshje të vetme në të gjithë kompeticionet, në plot tre muaj e gjysmë, kështuqë 3 pikët janë detyrim për ekipin e De Zerbi-t, sidomos pas derbit të humbur javën e kaluar në 96′ me Bologna-n.
Në krahun tjetër Chievo bashkë me Frosinonen po bëhen gati për të luajtur sezonin e ardhshëm në Serinë B, sidoqoftë verdheblutë fitoren e parë dhe të vetme në këtë edicion të Serisë A e kanë siguruar në ditët e fundit të vitit 2018 pikërisht ndaj Frosinone-s.
Ashtu si në Itali edhe në Spanjë do të luhen ndeshjet e fundit të Javës së 30-të. Spikat dueli Sevilla – Deportivo Alaves, takim që do të luhet në stadiumin “Ramon Sanchez Pizjuan”, në orën 19:30. Vendasit u eliminuan në mënyrë të papritur në Europa League nga Slavia e Pragës, megjithatë disfata në ndeshjen direkte me Valencian, për më tepër brenda në Andaluzi, e ka nxjerrë gjithashtu skuadrën e drejtuar nga veterani Joaquin Caparros edhe nga zona Champions, kështu që tifozët shpresojnë të shikojnë ringritjen e “bardhekuqve”, pikërisht ndaj ekipit bask, që për momentin numëron një pikë më shumë në tabelën e renditjes në Primera Division.
Në Supersport do të ketë hapësirë gjithashtu edhe për kampionatin holandez dhe, në fakt, gjërat në Eredivisie janë ndërlikuar dhe janë bërë shumë më interesante pas fitores 2-1 të Ajaksit në sfidën direkte me PSV Eindhovenin. Kampionët në fuqi do të presin në “Philips Stadion”, në orën 18:30, Zwollen e trajnerit Jaap Stam, ndërsa në orën 20:45 Feyenoordi do të masë forcat në Roterdam me ekipin e Heerenveenit.



