Kastrioti-Kukësi, përplasje objektivash, Partizani për “hakmarrje” me Luftëtarin
Kategoria Superiore ul sot siparin e fazës së tretë me ndeshjet e javës së 27-të, për të nisur më pas sprintin final drejt përfundimit të sezonit. Pas ndeshjeve eliminatore të Europianit kalendari ka qenë shumë i ngjeshur e i tillë do të vijojë edhe javën e ardhshme.
Skënderbeu është i vetmi ekip që nuk zbret në fushë, pasi merr në tavolinë fitoren me Kamzën, tashmë e përjashtuar nga kampionati. Vëmendja mbetet te dueli në distancë mes Partizanit dhe Kukësit, për titullin kampion.
Në orën 15:45 do të zhvillohen dy takime: Kastrioti-Kukësi dhe Laçi-Teuta. Në “Redi Maloku” të Fushë Krujës ekipi krutan luan ndoshta mundësitë e fundit për të mbetur në lojë për mbijetesën, ndërsa Kukësi, nëse nuk merr maksimumin e pikëve, minimizon shanset për të fituar titullin. Sigurisht, në varësi edhe të rezultatit që do të prodhojë sfida e rivalëve. Kjo përplasje objektivash sugjeron një përballje të ndezur dhe pa kompromis, ku vetëm fitorja shihet si rezultat pozitiv në të dy kampet.
Në po të njëjtën orë Laçi do të kërkojë pikët maksimale ndaj Teutës, pasi Flamurtari, që e ka barazuar me pikë, i kërcënon pjesëmarrjen në Europë. Kampionati mbetet e vetmja derë e kurbinasve për të luajtur në Europa League sezonin e ardhshëm, pas eliminimit nga Kupa në përplasjen e dyfishtë me Tiranën.
Në orën 18:45 luhen dy takimet e fundit, Partizani-Luftëtari dhe Flamurtari-Tirana. Në “Selman Stërmasi” të kuqtë presin Luftëtarin me dëshirën e madhe për të marr hak për humbjen e dyfishtë në Kupë, që solli eliminimin. Skuadra e Skënder Gegës do t’i shkarkojë të gjitha bateritë në kampionat, ku shpreson të nrejë titullin kampion pas 26 vjetësh.
Mbetet mjaft interesante përplasja e Vlorës mes Flamurtarit dhe Tiranës edhe për faktin se bardheblutë, pasi lanë dy pikë me Laçin javën e shkuar, kanë filluar të ndiejnë rrezikun e rënies. Nga ana tjetër, kuqezinjtë shohin me qetësi nga pjesë e sipërme e renditjes, duke shpresuar që ta mbyllin sezonin pse jo në vendin e tretë.



