Futboll

Duel zikaltrish për zonën Champions, Lazio detyrim fitoren me SPAL-in

Paqja me Icardin riktheu menjëherë qetësinë në klubin zikaltër, gjë që u reflektua edhe në takimin e Gjenovës, ku Interi fitoi pastër dhe pa kurrfarë problemi ndaj kuqebluve të Prandellit, që janë të rrezikuar dhe luftojnë për të shmangur “zonën e ftohtë”.

Suksesi 0-4 ndaj Genoas, ku dyshja Icardi-Perisic shkëlqeu me nga një gol dhe një asit për kokë, natyrisht e afroi akoma më shumë ekipin e Spallettit me përmbushjen e objektivit për Zonën Champions, megjithatë, një fitore në duelin me Atalantën me shumë gjasa do t’i garantonte skuadrës zikaltër gjithashtu edhe vendin e tretë në këtë edicion të kampionatit italian.

Ndeshja e Javës së 31-të Inter-Atalanta do të luhet në orën 18:00 në stadiumin “San Siro” dhe vendasit nuk do të mund të mbështeten dot përsëri te dyshja de Vrij-Lautaro Martinez, ndërkaq ekipit tjetër lombard do t’i mungojë golashënuesi më i mirë i sezonit Duvan Zapata, që u ndëshkua në mënyrë krejtësisht naive në sfidën e mesjavës me Bolongan, sidoqoftë Interi në Milano ka fituar radhazi katër përballjet e fundit ndërmjet tyre.

Po në orën 18:00 do të luhet edhe takimi Lazio – Sassuolo. Një 11-metërsh i shndërruar në gol nga Petagna në minutën e parafundit, në sfidën me SPAL-n, përkeqësoi ndjeshëm pozitat e ekipit bardhekaltër, që gjithsesi ka edhe një ndeshje më tepër për të zhvilluar krahasuar me skuadrat rivale për zonën Champions, zonë ku tashmë janë plot pesë klube që pretendojnë për vendin e katërt, si Milan, Atalanta, Roma, Torino dhe Lazio, ndërsa ekipi roman paraqitet i qetë në Olimpico pas oksigjenit të marrë në ndeshjen me Chievon.

Në mbrëmje Napoli pret Genoan në “San Paolo”, sigurisht me mendjen te impenjimi i mesjavës me Arsenalin në Europa League, ndërkaq Genoa kërkon të shkojë me moral të lartë për derbin e famshëm me Sampin, që do të zhvillohet pas një jave. Me interes pritet gjithashtu edhe dueli i orës 15:00 Udinese – Empoli, sfidë e rëndësishme për të evituar rrëzimin një kategori më poshtë.

Në Spanjë mbrëmja ofron në orën 20:45 takimin Real Betis – Vllarreal, ndërsa në orën 16:15 Sevilla ka mundësinë për të përfituar nga rrëshqitja e Valencias në ndeshjen e ditës së shtunë në Vallecas me Rayo-n, teksa andaluzianët do të vizitojnë Valladolid-in në Stadiumin Zorrilla.

Në Francë takimi përmbyllës i Javës së 31 luhet në kryeqytet, ku do të zhvillohet takimi Paris SG – Strasbourg, ndërsa në Angli spikat dueli Everton – Arsenal, në orën 15:05, ku “Topçinjtë” kanë rastin për t’u rikthyer në vendin e tretë, gjithsesi interes të veçantë ngjall edhe sfida tjetër e “Wembley-t” Watford – Wolverhampton Wanderers, në orën 17:00 ku do të mësohet edhe emri i kundërshtarit që do të masë forcat në finalen e Kupës së Anglisë me City-n e Guardiolës.

Në Holandë në orën 16:45 pritet kundërpërgjigjja e kampionëve në fuqi, sepse pas ngjitjes së përkohshme të Ajaksit në vendin e parë, në Arnhem luhet takimi Vitesse – PSV Eindhoven, ndërkaq më herët, në orën 14:30 në Eredivisie do të zhvillohet gjithashtu edhe ndeshja tjetër Venlo – Feyenoord.

Në Supersport si zakonisht nuk do të mungojë as Bundesliga, me kampionatin gjerman që ofron fillimisht në orën 15:30 takimin Augsburg – Hoffenheim dhe më pas në orën 18:00 edhe duelin Gladbach – Werder, ndeshje të cilat gjithë të apasionuarit do të kenë mundësi për t’i ndjekur nëpërmjet Kanalit Eurosport 2.

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency