Laçi “stuhi” golash, me Starovën funksionon dhe sulmi
Sulejman Starova dhe Laçi, një binom që duket se funksionon, e madje për çudinë e të gjithëve duke ndryshuar nga pak edhe stereotipin e krijuar për trajnerin dhe skuadrën. Laçi, që është formacioni që problemin më të madh në këtë sezon ka patur gjetjen e golit, është detyruar ta luajë pjesën më të madhe tij pa një sulmues të mirëfilltë dhe finalizimi ka qenë një problem më vete.
Sulejman Starova në profilin e tij të krijuar ndër gjithë këto vite konsiderohet gjerësisht një trajner i fokusuar kryesisht te mbrojtja, një Marcelo Lipi në versionin shqiptar, që i mjafton të fitojë 1-0 apo 2-1, pa preferuar të hidhet në aventurë.
Ndërthurja e rrugëve të tij me Laçin, ka ndryshuar nga pak fizionominë e të dyja palëve. 7 gola në 2 ndeshjet e fundit, një 2-0 në Kupë përballë Tiranës, ku Laçi ishte një grimcë larg një kualifikimi, një “manita” që në skuadrën kurbinase nuk përjetohet prej 5 vitesh, kundër rivales direkte për Europën, Teutës.
Duke përjashtuar sfidën e debutimit të Starovës në stolin e Laçit me Flamurtarin, në të tria ndeshjet e tjera kurbinasit e kanë shënuar të paktën një gol. Shënojnë të gjithë, kryesisht Redon Xhixha. 3 gola për të në dy ndeshjet e fundit në kampionat, një shpërthim i vërtetë i 20-vjeçarit që premton shumë.
Sulmi funksionon dhe në të njëjtën kohë mbrojtja, që kishte nisur të pësonte më shumë se ç’duhet, me Starovën është blind. Vetëm një gol i pësuar nga Laçi në katër ndeshjet me të në drejtim. Bobi është rikthyer, Laçi po ashtu.



