Kategoria Superiore

Karakteri sekondave te fundit, Kastrioti s’di ta ngrejë “flamurin e bardhë”

Në futboll ka disa elementë që në fund të hapin dyert e suksesit. Cilësia, talenti, taktika, teknika të gjitha këto janë të njohura dhe nuk mund t’ua ulë vlerën askush, por ka një aspekt tjetër i cili nuk mësohet ose nuk e ke dhuratë për këmbët e tua si: karakteri, shpirti garës, dëshira për të mos u dorëzuar dhe për të rimarrë në duar një sezon që dukej i përfunduar.

Kastrioti ka regjistruar 5 fitore në 9 ndeshjet e fazës së tretë, 17 pikë të grumbulluara, sa për të bërë një krahasim, të njëjtën kuotë pikësh ka koleksionuar edhe Partizani kryesues në fazën që sapo u mbyll.

Kastrioti nuk ka të ashtuquajturit “yje” të kampionatit shqiptar, ka një grup të bashkuar lojtarësh, një trajner që armën më të rëndësishme ka motivimin. Krutanët kanë luajtur me karakter, madje adrenalina i ka bërë që edhe ta teprojnë në disa raste më ashpërsinë.

Pa analizuar dy fazat e para, ku duket se në fushë ka qenë një tjetër ekip dhe jo ky Kastrioti sotëm, nga muaji janar skuadra nga qyteti i Krujës ka shënuar 6 gola nga minuta e 80-të e lart. 3 herë i realizoi Luftëtarit në atë hapësirë, por më kryesorja në minutën e 93-të erdhi goli i triumfit ndaj Skënderbeut.

Në frymëmarrjen finale mposhti Kamzën me supergolin e Ersil Ymerit dhe gjithashtu në rrahjet finale të orës uli në gjunjë Kukësin me finalizimin e parë të Edison Ndrecës në kampionat. Një herë mund të jetë rastësi, ndoshta edhe 2, por 3 indicie përbëjnë një fakt dhe të besuarit e Bledar Devollit kanë vërtetuar se janë një skuadër që nuk kanë ndërmend ta shpalosin “flamurin e bardhë”, kjo vlen për ta edhe në betejën e ashpër për mbijetesë.

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency