Kategoria Superiore

Daja tregon sekretin e suksesit të Flamurtarit

Intervista e trajnerit të Flamurtarit, Ilir Daja, dhënë për emisionin “Gol pas Goli” në Supersport, pas ndeshjes që vlonjatët fituan me rezultatin 3-1 ndaj Teutës.

Një tjetër fitore dhe sot me një lojë akoma më të mirë…
E kishim menduar ta nisnim vrullshëm takimin dhe sot për fat të mirë na shkoi mirë ky plan. E filluam mirë dhe mund të kishim dyfishuar, por më pas iniciativën e mori kundërshtari. Golat mendoj se na erdhën në momentin e duhur, pikërisht kur kundërshtari po na vinte në vështirësi. Është fitore e merituar, pasi mposhtëm ekipin e vendit të tretë dhe e parakaluam.

Pas golit të Teutës, patët frikë se mund të mos e fitonit?
Pa diskutim që kur iniciativën e merr kundërshtari, nuk mendon më për ta goditur. U mundova të freskoj skuadrën, por lojtarët që kam në pankinë, nuk kanë shumë eksperiencë. U kthyem me 3 mbrojtës në qendër, për të qenë më të qetë, pasi kundërshtari po luante me dy sulmues.

A keni marrë garanci nga presidenca, për licensimin për kupat e Europës?
Ne kemi për detyrë që të bëjmë atë që na takon, pra të fitojmë në fushën e lojës,. Pjesën tjetër e kanë drejtuesit e klubit, ndaj ne jemi të fokusuar vetëm te pjesa jonë.

Si ia keni dalë të menaxhoni këtë moment të vështirë për skuadrën?
Ky grup ka një shpirt skuadre mjaft pozitiv, gjë e cila ia bën të lehtë punën stafit. Është shumë e rëndësishme të kesh mbështetjen e lojtarëve me eksperiencë, ndaj unë mendoj se kam suportin e tyre, për të bërë këtë që po bëjmë.

Javën tjetër do të përballeni me Kukësin…
Përderisa jemi në vend të tretë, do të thotë që e meritojmë këtë pozicion. Nga ndeshja në ndeshje, po marrim maksimumin me grupin që kemi në dispozicion. E keqja e vetme është se kemi vetëm 10 lojtarë që po përballojnë intensitetin e ndeshjes. Pra, e meritojmë pozicionin që kemi.

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency