Gega: Problemet i mbaj në familje, sot na u shpërblye impenjimi
Intervista e trajnerit të Partizanit, Skënder Gega, dhënë për emisionin “Gol pas Goli” në Supersport, pas ndeshjes që “të kuqtë” fituan me rezultatin 2-0 ndaj Skënderbeut.
Fitore mjaft e rëndësishme në këtë sprint final. A kishit presion para ndeshjes, për shkak të fitores së Kukësit?
Ndaj Luftëtarit kaluam një moment të vështirë, pasi kemi gabuar shumë pak këtë sezon. Fitorja e Kukësit ndoshta ndikoi për mirë, pasi i thirrëm mendjes, për të kuptuar që nuk kemi rrugë tjetër. Nuk jemi perfekt dhe sot nuk ishim të tillë, por dhamë maksimumin dhe u shpërblyem.
Sot ishit disi nervoz me arbitrin e katërt, ku ankoheshit pas çdo faulli. Çfarë mendoni për golin e anulua të Rexhepit?
Është faull, pasi Rexhepi ka shtyrë dy lojtarë të Skënderbeut. Në fushë e shikon ndryshe, dhe ka pak gjaknxehtësi, por tani në përsëritje, shoh që është faull.
Si i shpjegon 3 humbjet ndaj Luftëtarit?
Nuk di t’iu shpjegoj as unë ashtu siç duhet. Humbja nuk është turp, por ndjej një përgjegjësi, kur gjërat nuk i bëjmë mirë. Në Kupë edhe mund ta pranoj disi, por humbja në kampionat ishte më e rëndë. Jam munduar t’i mbroj lojtarët, pasi punoj me ta dhe kam mbështetjen e tyre në fushë. Atanda u la i vetëm në 3 rastet e golave të Gjirokastrës, por sot tregoi vlerat e tij. Shpresoj që të mos bëjmë më gabime deri në fund të kampionatit.
Gjithmonë merrni në mbrojtje skuadrën dhe nuk akuzoi asnjërin…
Dikush më ka këshilluar që festën ta ndaj me të tjerët, ndërsa hallet t’i ndaj me familjen. Unë skuadrën e konsideroj si një familje dhe mundohemi që problematikat t’i mbajmë brenda dhe t’i zgjidhim bashkërisht. Isha i shqetësuar para ndeshjes, pasi lojtarët mund të prekeshin edhe nga komentet në rrjetet sociale, por për fat të mirë, pashë reagimin e duhur sot.



