Varane kërkoi largimin, Reali gati t’i përmirësojë pagën
Reali i Madridit është pozicionuar fort për të mos lejuar një largim hipotetik të francezit Varane nga “Santiago Bernabeu” me vendosjen e klauzolës së largimit prej 500 milionë eurosh. Në këtë kontekst, qëndrimi i drejtuesve të “Los Blancos” pritet të jetë i ftohtë dhe protokollar para çdo ofertë të mundshme në drejtim të 25-vjeçarit francez.
Te Reali kanë një vlerësim shumë të lartë për mbrojtësin, duke konsideruar se nuk ka një lojtar të dytë në tregun aktual që të ketë një përvojë dhe cilësi të tillë në këtë moshë kaq të re. Për më tepër, largimi i mundshëm Varane mund të përkthehej edhe si një shenjë dobësie e klubit mbretëror, duke krijuar gjithashtu edhe një precedent të rrezikshëm edhe për lojtarë të tjerë, ndaj madrilenët nuk do të lejojnë kurrsesi të largohet ndonjë prej shtyllave të ekipit, sikurse konsiderohet Varane.
Në vitin 2017, klubi “merengues” rinovoi me mbrojtësin deri në vitin 2022, gjithsesi, roli i tij si një prej lojtarëve thelbësorë të kësaj organike meriton sërish rishikimin në termat financiarë, çka e mendon edhe vetë lojtari, i cili aktualisht përfiton një pagë prej 6 milionë eurosh neto në sezon, kur pretendimi i tij është 9 milionë. Një pagë e tillë vjetore do ta ngjiste në hierarkinë e klubit mbretëror sa u përket pagave.
Bashkëjetesa e tyre vijon e shkëlqyer falë edhe trajnerit Zidane, ndaj klubi mbretëror me siguri që do të përmbushë pritshmëritë që ka një lojtar kaq i rëndësishëm si në fushë ashtu edhe në dhomat e zhveshjes.



