Futboll

Shkëndija barazon me Vardarin, pika e afron me titullin

Ka mjaftuar një barazim pa gola që skuadra e Shkëndijës së Tetovës të vazhdojë jo vetëm të udhëheqë kampionatin, por edhe të ruajë distancën prej 12 pikësh nga ndjekësi Vardar. Në stadiumin “Boris Trajkovski” djemtë e Qatip Osmanit ishin të vetëdijshëm që edhe barazimi ndaj Vardarit të vendit të dytë do të ishte një rezultat shumë i favorshëm në rrugën e tyre drejt titullit të dytë radhazi kampion.

Në atë që duhet të ishte derbi i sezonit, tetovarët kanë shkuar të qetë, pa presionin e pikëve, madje duke kryer edhe disa zëvendësime në formacion, gjë që nuk i ka ndaluar për të arritur atë që dëshironin.

Vendasit e Vardarit vinin nga dy barazime radhazi dhe për ta fitorja ishte detyrim, me shpresën për të qenë edhe pse vetëm matematikisht në luftën për titull, ndërkohë që në krahun tjetër forma e mirë që po kalon Shkëndija është vënë re edhe në këtë përballje, ku mundësitë për të fituar nuk i kanë munguar.

8 ka qenë numri i kartonëve të verdhë për tetovarët ndaj 4 të vendasve, duke treguar që rivaliteti mes këtyre dy skuadrave vazhdon të mbetet shumë i lartë.

Më këtë barazim Shkëndija është ngjitur në kuotën e 63 pikëve, e ndjekur pikërisht nga Vardari me 51 pikë. Kur mbeten edhe 8 javë nga përfundimi i kampionatit, festa e titullit është vetëm çështje kohe, duke vërtetuar se futbolli maqedonas ka një dominues të vetëm, Shkëndijën e Tetovës.

 

 

 

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency