Ronaldo nuk mjafton, Ajaxi “masakron” Juven në Torino; Messi çon Barçën në gjysmëfinale
Nuk mjafton as Cristiano Ronaldo, që Juventusi t’ia dalë të fitojë në Europë, pasi bardhezinjtë i dhanë lamtumirën Ligës së Kampionëve, pas një humbjeje të hidhur përballë talenteve të Ajaxit.
Holandezët erdhën dhe dominuan në “Allianz Stadium”, në një stadium tërësisht bardhezi, madje nuk u dorëzuan as kur e panë veten në disavantazh, pas golit të shënuar nga Ronaldo në minutën e 28’.
Reagimi i tyre ishte në kufijtë e perfektes, pasi arritën fillimisht të barazojnë me anë të van de Beek dhe të shënojnë në pjesën e dytë golin e fitores me anë të mbrojtësit De Ligt, duke marrë një kualifikim tërësisht të merituar.
Në minutat e mbetura, ishin sërish holandezët, që nuk u tërhoqën mbrapa, por vijuan sulmet në kërkim të golit të tretë, të cilin e gjetën, por arbitri e anuloi për pozicion jashtë loje.
Përveç një kualifikimi tërësisht të merituar për në gjysmëfinalet e Champions Leagues, Ajaxi tregoi këtë mbrëmje se nuk ishte aspak rastësor fakti që në fazën e 1/8-ave eliminoi kampionët në fuqi të Europës, Realin e Madridit.
Nuk pati histori në sfidën tjetër të mbrëmjes, atë mes Barcelonës dhe Manchester Unitedit, ku vendasit fituan pastër 3-0 dhe u kualifikuan në gjysmëfinale, me rezultatin total 4-0.
Lionel Messi ishte sërish protagonist, pasi shënoi dy gola në pjesën e parë, konkretisht në minutat 16’ dhe 20’, duke i dhënë ndeshjes rrjedhën ideale për katalanët. Në fillim të pjesës së dytë ishte braziliani Coutinho që vulosi gjithçka, pas golit të shënuar me një asist të mbrojtësit të majtë Jordi Alba.



