Strakosha pret penallti, Lazio rindez shpresat për një vend në Champions
Pas 3 javësh pa fitore, Lazio mori 3 pikët në ndeshjen e prapambetur ndaj Udineses, duke arritur të rindezë sërish shpresat për një vend në zonën Champions, që është edhe objektivi sezonal i skuadrës.
Bardhekaltrit mposhtën friulianët me rezultatin 2-0 në sfidën e “Olimpico”-s, fati i të cilës u vendos shumë shpejt, me golin e Caicedos në minutën e 21-të dhe autogolin e Sandros tre minuta më pas.
Udinese tentoi të rihapë takimin në pjesën e dytë, pasi fitoi një 11-metërsh, të cilin e ekzekutoi De Paul, por portieri Strakosha arriti të ndalë gjuajtjen e argjentinasit dhe të presë shpresat e miqve, për të marrë të paktën një pikë.
Me këtë fitore, Lazio shkon në kuotën e 52 pikëve, vetëm 3 më pak se Milani, që aktualisht është skuadra e fundit që gëzon të drejtën për të marrë pjesë nën Champions.



