Lazio “tradhtohet” nga Milinkoviç-Saviç, Empoli humb duelin e mbijetesës
Lazio “tradhtohet” nga Sergej Milinkoviç-Saviç, në një nga përballjet vendimtare për t’u afruar me zonën Champions, atë përballë Chievos së rënë në Serinë B, në “Olimpico”, ku u detyruan të dalin “duarbosh”, pas humbjes 1-2.
Mesfushori serb humbi toruan në pjesën e parë dhe i dha një shkelm në të pasme Stepinskit, ndërsa arbitri ishte i vëmendshëm dhe i tregoi kartonin e kuq në mënyrë të menjëhershme, duke lënë Lazion me 10 futbollistë përreth 60 minuta.
Në fillim të pjesës së dytë, Chievo shënoi dy gola të shpejtë, me Vignato dhe Hetemaj, ndërsa bardhekaltrit arritën të rihapin takimin në minutën e 67’, pas golit të shënuar nga sulmuesi Philippe Caicedo.
Në minutat në vijim, skuadra e Lazios spostoi lojën në gjysmëfushën e Chievos, duke krijuar disa mundësi shënimi, por herë shtylla dhe herë portieri veronez, bënë që rezultati të mbetej i pandryshuar deri në fund.
Me këtë humbje, skuadra e Simone Inzaghit nuk shfrytëzon kështu hapin fals të Milanit, për të shkuar pranë kuqezinjve, në garën për një vend në zonën Champions, larg të cilës është plot 4 pikë momentalisht.
Empoli dështoi në përballjen direkte për mbijetesë përballë Spalit në shtëpi, pasi humbi me rezultatin 2-4, duke komplikuar tej mase misionin për të mbetur mes më të mirave të kampionatit italian.
Skuadra ku aktivizohet edhe Frederik Veseli, kaloi e para në avantazh, por më pas reagimi i Spalit ishte mjaft i mirë, duke shënuar plot 4 herë në portën e Dragowskit, që ndryshe nga transferta ndaj Atalantës, sot “nuk e kishte veshur fanellën e Supermanit”.
Po sa i përket mbijetesës, një hap mjaft të rëndësishëm hodhi Bologna, që mposhti Sampdorian me rezultatin e thellë 3-0, me të tre golat të shënuar në 45-minutëshin e dytë. Fitore minimale, por me mjaft vlera mori edhe Torino në transfertën ndaj Genoas, ndërsa “granatat” shkojnë tashmë në kuotën e 53 pikëve, vetëm 3 pikë larg zonës Champions.
Me rezultatin minimal 1-0 triumfoi edhe Cagliari ndaj Frosinones, ndërsa Udinese nuk shkoi më shumë se një barazim 1-1 përballë Sassuolos në Friuli.



