Nuk ka fitues në Fushë Krujë, Selmani “Superman” ndaj Skënderbeut
Nuk pati fitues në sfidën e zhvilluar në “Redi Maloku” të Fushë Krujës, mes Kastriotit dhe Partizanit, takim që u mbyll me rezultatin 1-1. “të kuqtë kaluan të parët në avantazh në minutën e 55-të, me anë të Mensah, që shfrytëzoi një top të ardhur në zonë pas një goditjeje dënimi.
Megjithatë reagimi i krutanëve ishte i menjëhershëm, pasi në minutën e 57’, pas një topi të mbetur në zonë, Shehu gjuajti, duke e dërguar sferën në rrjetë dhe duke rikthyer baraspeshën.
Vetëm një minutë më vonë, gjërat u komplikuan edhe më shumë për Partizanin, pasi Lum Rexhepi mori kartonin e dytë të verdhë, duke lënë skuadrën për më shumë se 30 minuta, me një lojtar më pak.
Kastrioti u mundua të përfitojë nga epërsia numerike, për të shënuar golin e fitore, por nuk ia doli të mposhtë për herë të dytë Alban Hoxhën dhe të marrë 3 pikët aq të domosdoshme për mbijetesën.
Ky rezultat, më shumë se i shërben Partizanit, u prish punë krutanëve, pasi nëse sot Tirana dhe Luftëtari do të marrin rezultate pozitive, do të bëjnë thuajse të pamundur, misionin e mbijetesës për Kastriotin.
Pas dy humbjeve radhazi në kampionat, Laçi u rikthye te suksesi, pasi mposhti Skënderbeun me rezultatin minimal 1-0, falë një goli të shënuar nga shkodrani Ndriçim Shtubina, në pjesën e parë të takimit.
Në përballjen direkte për një vend në Europë, ishin bardhezinjtë që festuan në fund, duke marrë 3 pikët në një sfidë, ku korçarët bënë mjaft mirë, por gjetën përballë një portier si Gentjan Selmani, që ishte i pakalueshëm.
Gardiani i kurbinasve, përveç pritjeve të shumta shpëtimtare, arriti të ndalë edhe një 11-metërsh, të cilin e fitoi Vangjeli dhe e ekzekutoi Dejvi Bregu.
Me këtë fitore, Laçi parakalon Skënderbeun në renditje dhe shkon në vendin e pestë, në kuotën e 44 pikëve, një më shumë se skuadra korçare.



