Starova: Fitore e vuajtur, por shumë e rëndësishme; Këtë herë fati ishte me ne
Intervista e trajnerit të Laçit, Sulejman Starova, dhënë për emisionin “Gol pas Goli” në Supersport, pas ndeshjes që kurbinasit fituan me rezultatin minimal 1-0 ndaj Skënderbeut.
Një fitore përballë një kundërshtari direkt. A ju kënaq ky fakt?
Duhet të evidentoj se sot morëm një fitore shumë të rëndësishme, ndonëse me shumë vuajtje. Më pëlqeu që skuadra gjeti golin dhe më pas diti të vuajë, bashkë me Selmanin që ishte në superformë, dhe të marrë maksimumin e pikëve.
Kërkuat rivënie të gjatë te goli, a e kishit studiuar kundërshtarin?
Normalisht që ne bëjmë punën tonë dhe kërkojmë të gjejmë dobësitë te kundërshtari. Për fat të mirë te ai rast, gjithçka shkoi mirë dhe arritëm të shënojmë.
Pas ndeshjes me Tiranën thatë që “keni qimen e derrit”; A jeni ndjerë me fat kur Selmani priti penalltinë sot?
Futbolli është i tillë, ku njëherë të ecën dhe njëherë i ke episodet kundër. Sot vuajtëm shumë, por morëm tre pikët, ndërsa për ndeshjen me Tiranën, më shumë se për fatin, u ankova për dy penallti të pa dhëna ndaj nesh.
Javën e ardhshme luani përballë Partizanit, që është shumë pranë titullit…
Do të jetë një ndeshje shumë e luftuar, ku të dy skuadrat do të luajnë për objektivat e tyre dhe besoj se do të shohim një ndeshje shumë të mirë në fushën e lojës. Te Partizani kanë vite që presin titullin dhe do të jenë shumë të motivuar, që të mbyllin sa më shpejt llogaritë për të nisur festën.



