Shkurtaj rikthen “makthet” te Tirana, Luftëtari merr një pikë në Vlorë
Tirana ka “harruar” si fitohet përballë Kukësit në “Selman Stërmasi”, pasi edhe sot në një ndeshje mjaft të rëndësishme për fatin e sezonit, u mposht nga verilindorët me rezultatin 0-2.
Bardheblutë e Memës e nisën mjaft mirë takimin, duke krijuar disa mundësi shënimi, të cilat u shpërdoruan nga futbollistët, ndërsa Kukësi zhbllokoi rezultatin pas një kundërsulmi të shpejtë, me anë të sulmuesit Vasil Shkurtaj.
Tirana u përpoq të reagojë, por një herë traversa dhe 4-5 herë të tjera portieri Stivi Frashëri, u mohuan golin kryeqytetasve, ndërsa në minutat shtesë, Shkurtaj shënoi edhe golin e dytë për Kukësin.
Me këtë fitore, verilindorët provojnë të ringjallin shpresat për titullin kampion, ndonëse Partizani ka plot 10 pikë më tepër, ndërsa Tirana komplikon edhe më shumë mbijetesën, tani që Kastrioti është vetëm 5 pikë mbrapa.
Luftëtari arriti të marrë një barazim 1-1 në transfertën vlonjate përballë Flamurtarit, duke shtuar edhe një pikë në tabelën e renditjes, mjaft e vlefshme sa i përket misionit të mbijetesës.
Në stadiumin “Flamurtari” u zhvillua një 90-minutësh spektakolar, me vlonjatët që kaluan të parët në avantazh, pas një goli të shënuar nga sulmuesi Andi Ribaj, në fillim të pjesës së dytë.
Megjithatë gjirokastritët e Ahmatajt nuk u dorëzuan dhe arritën të rikthejnë baraspeshën në minutën e 89’, me anë të sulmuesit Realdo Fili, duke u kthyer në shtëpi me një pikë më shumë në renditje.
Nuk ka fitues në Fushë Krujë, Selmani “Superman” ndaj Skënderbeut



