Ahmataj: Nuk u transmetoj presion lojtarëve, përgjegjësinë e rezultateve e kam unë
Intervista e trajnerit të Luftëtarit, Julian Ahmataj, dhënë për emisionin “Gol pas Goli” në Supersport, pas ndeshjes që gjirokastritët barazuan 1-1 në Vlorë, përballë Flamurtarit.
Një barazim karakteri sot ndaj Flamurtarit…
Një ndeshje mjaft e vështirë, ndaj një skuadre shumë të mirëvendosur, me lojtarë me eksperiencë. Skuadra u paraqit mjaft mirë, duke interpretuar në mënyrën e duhur takimin dhe arritëm të marrim një pikë të rëndësishme. Pësuam një gol që mund ta shmangnim, por reaguam mirë dhe morëm një barazim të merituar, pasi i dhamë një ritëm mjaft të mirë ndeshjes.
Sa pranë mbijetesës ju çon kjo pikë e marrë sot?
Ne duhet të mendojmë që tani për ndeshjen e ardhshme, pasi të qetë do të jemi vetëm kur të kemi siguruar mbijetesën edhe matematikisht.
Vuani shumë në portë, a po mendoni të hyni në merkato për të ndryshuar në këtë repart?
Ne fillimisht duhet të punojmë për të arritur objektivin e këtij sezoni dhe më pas me drejtuesit do të diskutojmë për përbërjen e skuadrës. Unë këtë ekip gjeta dhe nuk e ndërtova vetë, por portierët që kemi kanë mjaft eksperiencë dhe janë të denjë për të mbrojtur portën e Luftëtarit. Gabimet në futboll ndodhin, por kjo nuk na jep të drejtën të kritikojmë portierët.
Mendoni që djemtë e rinj do ta përballojnë presionin e javëve të fundit?
Unë nuk transmetoj presion te skuadra, pavarësisht rëndësisë së ndeshjes, Unë u kërkoj lojtarëve vetëm që të vrapojnë dhe të luajnë futboll, pasi për rezultatin jam unë ai që mban përgjegjësi.
Si e kishit përgatitur ndeshjen ndaj Flamurtarit?
Kishim menduar më së shumti për ekuilibrin taktik dhe pavarësisht golit dhe zëvendësimeve në sulm, skuadra nuk e humbi ekuilibrin, duke u treguar e kujdesshme. Nuk morëm golin e dytë, pasi lojtarët treguan kualitet të madh në interpretimin e momenteve të caktuara dhe më pas gjetëm momentin për të shënuar golin e barazimit.



