Mungon De Bruyne, Guardiola: Kujdes nga United, për titullin na duhen 4 fitore!
Pep Guardiola ka konfirmuar në konferencën për shtyp në vigjilie të derbit të Manchesterit, mungesën e mesfushorit Kevin De Bruyne në sfidën ndaj United, megjithatë trajneri spanjoll ka theksuar se shpreson ende që futbollisti belg i cili doli i dëmtuar nga sfida e fundjavës ndaj Tottenham pas 28 minutash lojë të rikuperohet për 4 ndeshjet e fundit të sezonit dhe t’i japë një dorë City-t në fitimin e titullit kampion dhe FA Cup. Përsa i përket ndeshjes ndaj Djajve të Kuq e cila mund të vendosë edhe fatet e titullit kampion, Guardiola parlajmëroi skuadrën e tij të ketë kujdes nga United sepse pavarsisht se ekipi i Solskjaer ka humbur 6 nga 8 ndeshjet e fundit në të gjitha kompeticionet do të kërkojë të bëjë autokritikë pikërisht në derbin ndaj City-t për të hedhur pas krahëve edhe atë humbje të shëmtuar me rezultatin 4-0 ndaj Evertonit në fundjavë.
“ Na kanë mbetur dhe 4 ndeshje në kampionat dhe duhet t’i fitojmë të gjitha për të mbrojtur titullin. Old Trafford nuk është vendi ideal për të luajtur por në të njëjtën kohë është një stadium shumë i këndshëm. Ne e kemi shumë të qartë se çfarë duhet të bëjmë. Ne do të shkojmë atje për të zhvilluar një ndeshje të mirë dhe për të fituar”.



