Basketboll

Play Off/Raptors, 76-ers e Blazers në çerekfinale, Nuggets në epërsi ndaj Spurs

Përcaktohen edhe tri skuadra të tjera në NBA që kualifikohen në çerekfinale të play off-it. Ato janë Toronto Raptors, Philadelphia 76ers dhe Portland Trail Blazers.

Raptors i mbyllën në sfidën e pestë të serisë llogaritë me Orlando Magic (4-1), duke iu imponuar me rezultatin 115-96. Shkëlqyen për ekipin kanadez Kawhi Leonard dhe Pascal Siakam, që realizuan respektivisht 27 dhe 24 pikë. 5 minuta e 13 sekonda para rënies së sirenës për përfundimin e takimit Raptors kryesonin me +37 pikë (115-78) e pavarësisht rezultatit të pjesshëm 0-18 në favor të Magic, nuk e rrezikuan në asnjë moment suksesin. Ky është sezoni i katërt radhazi që Toronto Raptors e kalojnë raundin e parë të play off-it.

Në gjysmëfinale të Konferencës së Lindjes Raptors do të përballen me Philadelphia 76ers, që me suksesin 122-100 ndaj Brooklyn Nets siguruan kualifikimin, duke e mbyllur serinë me rezultatin 4-1. Një përballje pa shumë histori kjo e “Wells Fargo Center” të Philadelphias, ku statistikat më të mira i kishte Joel Embiid: 23 pikë e 13 “rebound”. Vlen të përmendet zënka masive dy minuta para fundit, që çoi në përjashtimin e dy lojtarëve për çdo skuadër, të Greg Monroe e Jonah Bolden për 76ers dhe të Dzanan Musa e Rodions Kurucs për Nets.

Verdikti i fundit u dha në Konferencën e Perëndimit, ku Portland Trail Blazers kaluan në raundin tjetër, pasi mposhëtn 118-115 Oklahoma City Thunder, duke e mbyllur serinë me rezultatin 4-1. Paraqitje prej jashtëtokësori e Damian Lillard (rekord personal në play off), që shënoi plot 50 pikë, dha 6 asiste dhe kontrolloi 7 topa. Vendimtar në fitoren e skuadrës së tij, pasi realizoi trepikëshin e fundit nga një largësi prej 11 metrash. Në gjysmëfinale të Perëndimit Blazers do të përballen me fituesin e çiftit Denver Nuggets – San Antonio Spurs.

“Në Pepsi Center” të Denverit, skuadra nga Colorado triumfoi 108-90 me teksanët, duke marrë kryesimin e serisë me rezultatin 3-2. Plot 6 basketbollistë të Nuggets arritën numër dyshifror pikësh, të udhëhequr nga Jamal Murray me 23 pikë, ndërsa Will Barton shtoi edhe 17 pikë të tjera. Takimi i radhës zhvendoset në Teksas.

Rezultatet:

Toronto Raptors-Orlando Magic 115-96 (4-1)

Philadelphia 76ers-Brooklyn Nets 122-100 (4-1)

Denver Nuggets-San Antonio Spurs 108-90 (3-2)

Portland Trail Blazers-Oklahoma City Thunder 118-115 (4-1)

 

 

 

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency