Lajm i rëndësishëm nga Kukësi, Valdet Rama javën tjetër në stërvitje
Lajm shumë pozitiv nga infermieria e Kukësit për mesfushorin Valdet Rama. Në një njoftim të klubit verilindor sqarohet se 31-vjeçari nuk e ka mbyllur sezonin futbollistik, sikurse është raportuar pak ditë më parë, por pritet të rikthehet në seancën stërvitore javën e ardhshme.
Futbollisti u dëmtua gjatë ndeshjes ndaj skuadrës së Flamurtarit dhe pas disa ekzaminimeve nga stafi mjekësor rezultoi që mesfushori, si pasojë e problemeve ndër vite në gju, ka shqetësime në menisk.
Valdet Rama ka qëndruar pushim këto ditë dhe pritet t’i bashkohet skuadrës javën e ardhshme. Stafi mjekësor po ndjek nga afër gjendjen e tij dhe shpresojmë të rikthehet sa më shpejt në fushën e blertë.
Kjo do të thotë se ish-futbollisti kuqezi do të jetë i gatshëm për trajnerin Gjoka për takimet e fundit të sezonit, pot mbetet për t’u parë nëse do të riaftësohet në kohë për takimin e kthimit të Kupës së Shqipërisë me Skënderbeun Korçë.



