Prishtina pret Drenicën për t’u kthyer në krye, sfidë mbijetese në Mitrovicë
Java e 29 e IPKO Superligës do të vijë sot me dy takime të tjera, teksa pas fitoreve të Llapit dhe Feronikelit dje, Prishtina do të kërkojë të bëjë të njëjtën gjë, për t’u rikthyer në majën e renditjes.
Bardheblutë do të presin në stadiumin “Fadil Vokrri” skuadrën e Drenicës, në një sfidë që do luhet nën dritën e prozhektorëve, pasi do të startojë në orën 19:00.
Të besuarit e Josës nuk mund të pranojnë asnjë rezultat tjetër përveç fitores, ndërsa miqtë nga Drenica janë në pozita më të qeta, disi larg zonës së ftohtë, ndaj edhe një pikë sot, do të ishte arritje për ta.
Po sot, por në orën 15:30, në stadiumin olimpik “Adem Jashari” të Mitrovicës, Trepça ’89 do të presë Lirinë e Prizrenit, në një sfidë që mund të cilësohet edhe si përballje direkte për mbijetesën.
Kjo pasi prizrenasit janë në vendin e parafundit dhe kanë nevojë imediate për pikë, që të mund të synojnë arritjen e zonës Play Off, çka do t’u mundësonte ndeshje shtesë për mbijetesën.
Nga ana tjetër, vendasit janë më të qetë, por me një fitore sot, do të mund të largoheshin edhe nga zona Play Off, për të pritur të qetë fundin e sezonit.



