Kategoria Superiore

Kriza e Tiranës nga sindromi i “bujarisë”

Kampionati është në një moment ku vetëm një gjë ka vlerë, rezultati, nuk ka asnjë argument që të provojë të kundërtën. Tirana, ende pa u shëruar plagët e turpit historik të vitit 2017, rrezikon të përjetojë sërish të njëjtin ferr.

Fillimi i vitit 2019 e ndezi optimizmin, duke i bërë të gjithë të besonin se flakët e ligës inferiore nuk do t’i preknin bardheblutë, por vetëm 1 fitore në fushë në 7 ndeshjet e fundit në Superiore kanë bërë që “xhelatët” e kategorisë së parë të rikthehen mbi kokën e 24 herë kampionëve.

Fitorja në Gjirokastër me shumë mundësi do të kishte larguar thuajse çdo makth e ankth, Tirana i pati shanset, dominoi një ndër skuadrat më në formë të momentit, kaloi në epërsi, por përsëri nuk fitoi dot. Çfarë ndodhi?! Ajo që ka ndodhur gjatë gjithë sezonit, shpërdorim rastesh të pastra dhe gola të pësuar për gabime individuale.

Trajneri Ardian Mema duket i dorëzuar në këtë pike. “E përgatis ndeshjen në çdo detaj” deklaron tekniku, “nuk kam më se çfarë t’i bëj”. Sentamu me portën e boshatisur “vuan” një “sëmundje verbuese” për 2 sekonda dhe nuk realizon. Një krosim dhe jo një gjuajtje, ashtu si vetë Rapo e pranoi, nga një distancë e largët, shkon në rrjetë.

Transferta në qytetin e gurtë nuk ishte e gjitha për t’u flakur, absolutisht jo. Cobinah zhvilloi një nga ndeshjet më të mira që kur ka veshur fanellën bardheblu, Turtulli e Goxha ofruan garanci, Hasani e Oduamadi ishin një rrezik i vazhdueshëm për kundërshtarët dhe megjithëse me mungesa të shumta skuadra ishte në një nivel që pa dyshim nuk është për pozicionin në renditje ku aktualisht ndodhen kryeqytetasit, por kjo nuk mjafton, duhen pikët, në të kundërt, një tjetër tragjedi sportive do ta pushtonte klubin më të titulluar në vend dhe kësaj radhe copëzat e thyera rrezikojnë të mos ngjiten më kurrë.

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency