Flamurtari vuan ndaj KEK-ut, por në fund merr fitoren
Asnjë surprizë në ndeshjen përmbyllëse të javës së 29-të të IPKO Superligës së Kosovës mes Flamurtarit dhe KEK-ut. Kuqezinjtë e Arsim Thaqit fituan me rezultatin 2-1, duke iu larguar zonës së barazhit.
Flamurtari e nisi keq takimin, duke i dhënë mundësi Vigan Veliut që të shënojë nga afër për skuadrën e KEK-ut, 0-1.
Loja aspak bindëse e vendësve e detyroi trajnerin Arsim Thaqi ta nxjerrë nga loja Alban Shillovën që në pjesën e parë. Në minutën e 42-të erdhi goli i barazimit me autor Shend Kelmendin, që goditi fort dhe me saktësi me të djathtën, duke realizuar një gol të bukur, 1-1.
Në pjesën e dytë Flamurtari e ndjeu disi presionin, pasi nuk po i shfrytëzonte rastet e krijuara. Gjithsesi, në minutën e 82-të Florim Berbatovci realizoi golin e 2-1, duke kthyer qetësinë te Flamurtari.



