Shkëndija hap shampanjën e titullit, Ibrahimi e Zylbehari ndajnë festën me SuperSport
Katër javë para fundit të kampionatit, Shkëndija nisi festën e titullit kampion, trofe të cilin e e siguroi edhe matematikisht, për të dytin vit radhazi. Për të diskutuar mbi këtë sukses të tetovarëve, në një lidhje direkte me emisionin “Zona Gol” ishin zëdhënësi i klubit të Shkëndijës, Faton Zylbehari dhe sulmuesi Agim Ibrahimi.
Si ndiheni sot, që jeni shpallur kampionë? Si po ecën festa?
Zylbehari: Fakti që Supersport po na jep hapësirë shumë të madhe, e bën edhe më të bukur dhe më mbarë shqiptare këtë festë.
Ibrahimi: Pas ndeshjes ka qenë super, por tani po fillon edhe më fort festa e titullit kampion.
Ibrahimi, ne të duam ty, por ti nuk ke zgjedhur Shqipërinë. Si ka qenë puna?
Ibrahimi: Ne shqiptarët e Maqedonisë e duam Shqipërinë dhe kemi qenë gjithmonë në mbështetje të saj. Ndjehemi plotësisht shqiptarë.
Sa i veçantë ka qenë ky sukses?
Ibrahimi: Harmonia mes lojtarëve në përgjithësi, na ka ndihmuar të bëjmë një paraqitje dinjitoze, ku kemi luajtur si një familje. Kemi ecur me sloganin “Shkëndija mbi të gjitha” dhe jemi sakrifikuar, për të mbrojtur titullin në fushën e lojës.
Zylbehari: E veçanta është se ne për herë të parë arritëm të mbrojmë titullin kampion, duke treguar se jemi ekipi për t’u mundur. Ishte titulli ynë i tretë, por i dyti radhazi.
Sa vite ka projekti “Ecolog” me Shkëndijën?
Zylbehari: Kemi që nga viti 2013 dhe po tregojmë me arritjet tona, se kompania “Ecolog” ka një projekt shumë serioz dhe të rëndësishëm me këtë skuadër.
Jemi kuriozë të dimë për stadiumin dhe projektet e të ardhmes…
Zylbehari: Është duke u punuar për të ndërtur një stadium në qytetin e Tetovës, që të plotësojë edhe kriteret për të pritur ndeshje evropiane. Ka ende pengesa, që nuk lidhen me klubin apo investimin, por që do të zgjidhen dhe shumë shpejt do të nisim punën për ndërtimin e stadiumit. Më pas mund të them se projekti i “Ecolog” me Shkëndijën nuk ndalet pasi duam të shkruajmë historinë, duke filluar që nga synimi për të hyrë në grupet e Europa Leagues.
Çfarë të bëri të riktheheshe sërish te Shkëndija, pas eksperiencave europiane?
Ibrahimi: Ishin plot 13 vite larg Shkëndijës, ku kam luajtur me Mariborin 5 vite, por edhe me Cagliarin, ndërsa kam fituar shumë tituj. Doja të bëja realitet ëndrrën për të fituar tituj edhe me Shkëndijën dhe me eksperiencën që kam fituar, mendoj se mund të ndihmoj skuadrën jo vetëm të fitojë këtu, por edhe të luajë në kupat europiane.
A mund të themi që Shkëndija është pak më shumë se një rezistencë sportive e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut?
Zylbehari: Është më shumë se rezistencë sportive, por të mos futemi në politikë, se pas 20 minutash do të futemi në datën e zgjedhjeve për president (qesh). Po të shikosh historinë e Shkëndijës, mënyrën se si është themeluar, ngjyrat që u zgjodhën, etj., kupton se kemi të bëjmë me diçka më shumë se një rezistencë. Ka edhe skuadra të tjera shqiptare në Maqedoni, por që nuk ndiqen me interes ashtu si Shkëndija dhe për këtë dua t’u falënderoj edhe juve si Supersport, për vëmendjen që keni treguar ndaj nesh. Hyrja e “Ecolog”-ut e ka ndihmuar shumë këtë klub, pasi e ka ngjitur në nivele konkurruese dhe ne tani jemi skuadra për t’u mundur në Maqedoni.



