Rrumbullaku: Me Gjokën kemi ndryshuar, tani të fitojmë edhe finalen
Simon Rrumbullaku ishte futbollisti më i mirë i ndeshjes Skënderbeu-Kukësi, e vlefshme për gjysmëfinalen e kthimit të Kupës së Shqipërisë, ndërsa pas takimit, mbrojtësi i majtë foli edhe për emisionin “Gol pas Goli” në Supersport.
Dy asist në dy gola dhe duket se po bëheni pak si Robertson i Liverpulit?
Rëndësi ka që u kualifikuam. Këtë qëllim kishim, për fitore. E arritëm dhe e merituam. Unë dhashë dy asist, nuk ka rëndësi kush shënon. Bëra dhe një gabim te goli i Korçës dhe e futa në stres ekipin, por futbolli i ka këto, ndaj duhet të përmirësohemi.
Në finale do gjeni Tiranën…
Tirana është një ekip i madh, e vlerësojmë, por edhe ne jemi Kukësi. Shpresoj të bëhet një ndeshje e mirë kryesisht dhe pastaj ishalla fitojmë ne.
Kukësi ka pasur momente të tilla të mira. Pse duhet të besojmë se do vazhdoni me këtë marsh?
E kishim filluar sezonin me objektiv kampionatin dhe Kupën, rrugës e humbëm këtë. Nuk patëm një vijë të drejtë, por tani jemi në finale. Me ardhjen e profesor Gjokës kemi bërë ndeshje të mira, kemi marrë rezultate. Ishalla vazhdojmë kështu deri në fund.



