Fitojnë Feronikeli e Prishtina, finale e madhe për titullin
Titulli i IPKO Superligës së Kosovës do të vendoset në finalen e madhe, mes Feronikelit dhe Prishtinës, në stadiumin “Rexhep Rexhepi”. Në javën e parafundit të kampionatit, si kryesuesit nga Drenasi ashtu edhe bardhekaltrit e kryeqytetit i fituan sfidat respektive, duke lënë llogari të hapura për përplasjen direkte të javës së fundit.
Feronikeli tregoi se është me meritë në krye, pasi fitoi 1-3 në Podujevë, kundër Llapit, duke e nxjerrë përfundimisht nga gara skuadrën që drejtohet nga Batatina. Prekazi zhbllokoi sfidën në favor të skuadrës mike në minutën e 18-të, por vetëm tre minata më pas barazoi Alidemaj me 11-metërsh. Gjithsesi, ekipi i drejtuar nga Zekirijia Ramadani u imponua me dy gola të tjerë në pjesën e dytë, me autorë Hotin dhe Rexhën. Llapi me këtë humbje mbetet përfundimisht në vendin e tretë, pasi një javë para fundit ka 6 pikë më pak se Prishtinë.
Nga ana e saj, Prishtina bëri detyrën në “Vadil Vokrri”, ku fitoi me rezultatin 2-0 me Trepçën ’89. Të dy golat e bardhekaltërve u shënuan në pjesën e dytë nga Mankenda dhe Abdul Basit. Prishtina pas këtij suksesi shkon në kuotën e 75 pikëve, 2 më pak se Feronikeli.
Më dy takimet e tjera të ditës së mërkurë, Drenica barazoi 1-1 me Ballkanin (shënuan Tahiri për vendasit dhe Topalli për miqtë), ndërsa Flamurtari triumfoi 1-2 me përmbysje në fushën e Dritës. Fillimisht realizoi për vendësit Burba, por Kelmendi dhe më pas Bruqi u dha tri pikë shumë të rëndësishme ekipit mik.



