Kategoria Superiore

Vera e nxehtë, te Tirana projektohet revolucioni

Mbijetesa e siguruar në javën e fundit të kampionatit dhe humbja në Kupë nuk kanë lënë një shije të mirë te Tirana, që po përgatitet për një revolucion të vërtetë. Largimi i trajnerit Ardian Mema nga stadiumi “Elbasan Arena” pas finales me Kukësin lë shumë pikëpyetje mbi vazhdimësinë e tij në krye të skuadrës. Megjithatë, më shumë sesa emri i trajnerit, pasi për hir të së vërtetës skuadra nën drejtimin e Memës ka bindur në lojë, duke u ndëshkuar nga gabimet e shumta, pritet të ketë ndryshime edhe në përbërje të skuadrës apo funksionimit të klubit.

Presidenti Refik Halili ka shpenzuar shuma marramendëse për Tiranën, por rezultatet nuk kanë shkuar në sinkron me investimin e bërë. Në këto kushte, numri 1 i klubit bardheblu ka marrë në konsideratë faktin për të vendosur një administrator të përgjithshëm në krye të klubit, një njeri me fuqi të plota, të cilit do t’i vihet në dispozicion një buxhet i caktuar dhe një objektiv për t’u arritur. Për momentin, Halili po mendon për këtë lëvizje, ndërkohë që paralelisht po punohet edhe për ndërtimin e skuadrës së edicionit të ri. Emri i trajnerit (por edhe i futbollistëve që do të përbëjnë grupin) është ende pezull, për më tepër që deri në startin e sezonit të ri ka ende kohë. Kjo pritet të jetë një verë e nxehtë në pjesën bardheblu të kryeqytetit, për më tepër që fitimi i titullit kampion nga ana e Partizanit sjell dëshirën e madhe për kundërpërgjigje ndaj rivalëve të përjetshëm.

 

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency