NBA, Lakers pranë firmës me Anthony Davis, synohet edhe Kemba Walker
Ajo që përflitet prej kohësh po bëhet realitet. Anthony Davis do t’i bashkohet LeBron James te Los Angeles Lakers. Skuadra kaliforniane e ka bindur New Orleans duke ofruar Brandon Ingram, Lonzo Ball, Josh Hart si dhe tre zgjedhjet e para, duke përfshirë edhe numrin 4 të këtij viti.
Lakers mposhtin kështu konkurrencën e Boston Celtics, që nuk pranojnë ta lëshojnë “xhevahirin” e tyre, Jason Tatum. Me këtë lëvizje, sipas “bookemakers”, Lakers bëhen favoritë për sezonin e ardhshëm, por gjithsesi merkatoja nuk ka përfunduar. Është po Los Angeles që dëshiron të nënshkruajë me një tjetër “yll”, përveç lojtarëve të rolit, siç është Derrick Favors i Utah Jazz. Pëlqehet shumë Kyrie Irving (është vetëm një hap larg Brooklyn Nets), por favorit mbetet Kemba Walker.
Do të kishte dashur të qëndronte te Charlotte Hornets, por ekipi i legjendës Michael Jordan nuk i ofron pagën maksimale. Të luash përkrah LeBron James dhe Anthony Davis perspektiva bëhet mjaft tërheqëse.
Pritet me ankth nëse kampioni i saposhpallur i NBA, Kawhi Leonard, do të qëndrojë te Raptors, apo Kevin Durant e Klay Thompson, të përndjekur nga dëmtime të rënda, do të largohen nga Golden State Warriors. 4 korriku është ende larg, por poshtë koshit kanë nisur të ndizen fishekzjarret e merkatos.



