“Furi” braziliane ndaj Perusë, në çerekfinale kalon edhe Venezuela
Brazili arriti të marrë një fitore bindëse 5-0 ndaj Perusë, duke u renditur në vendin e parë në grupin A të Kupës së Amerikës dhe duke siguruar kalimin për në çerekfinale.
Në sfidën e zhvilluar në “Arena Corinthias”, në Sao Paolo, të besuarit e Tites u “derdhën” furishëm në gjysmëfushën e Perusë dhe arritën të zhbllokojnë rezultatin në minutën e 12’ me anë të mesfushorit Casemiro, pas zhvillimeve të një goditjeje këndore.
Vetëm 7 minuta më vonë portieri peruan bëri një gafë në largimin e topit dhe nga kjo situatë përfitoi maksimalisht Firminho, i cili shënoi edhe golin e dytë. Pjesa e parë u mbyll me avantazhin e trefishtë të Brazilit, që gjeti edhe një tjetër gol me anë të sulmuesit Everton.
Edhe 45-minutëshi i dytë u dominua tërësisht nga vendasit, që nuk e ulën ritmin për asnjë moment dhe arritën të shënojnë edhe dy gola të tjerë, me anë të Dani Alves në minutën e 53-të dhe me anë të William në minutën e 90’, ndërsa në shtesë Gabriel Jesus humbi edhe një penallti.
Kalimin në çerekfinale e siguroi edhe Venezuela, që mposhti me rezultatin 1-3 Ekuadorin dhe u rendit në vendin e dytë me 5 pikë, ndërsa Peruja e vendit të tretë, me 4 pikë, shpreson që të jetë një nga dy vendet e treta më të mira, që do të vazhdojnë më tej aventurën.



