Milan bën goditjen e dytë në merkato, vjen një mbrojtës nga Reali
Në ditën që u përjashtua për një sezon nga aktivitetet e UEFA-s, Milani zyrtarizoi edhe afrimin e dytë të merkatos verore. I pari ishte mesfushori boshnjak Kruniç, ndërsa tani bëhet fjalë për mbrojtësin francez Theo Hernandez, i cili pritet të mbërrijë në Milano të hënën dhe të kryejë vizitat mjekësore.
Sipas mediave italiane, akordi për kalimin e francezit nga Reali i Madridit te Milani është arritur mbi bazën e huazimit për 2 milionë euro dhe detyrimit të blerjes verën e ardhshme, kundrejt 18 milionë eurove të tjera.
Nga ana tjetër, Hernandez do të nënshkruajë një kontratë 5-vjeçare me Milanin, me një pagë prej rreth 2 milionë eurosh në sezon, disi më e reduktuar sesa fitonte te klubi i Realit të Madridit.
Theo Hernandez ka lindur në vitin 1997 dhe është rritur në ekipet e moshave të Atleticos së Madridit, prej ku u largua në verën e 2017-ës, për t’iu bashkuar Realit. Te klubi “merengues” Hernandez qëndroi vetëm një sezon, pasi gjatë vitit të fundit kaloi në huazim te Real Sociedad.
Afrimi tashmë te Milani i mbrojtësit të majtë francez, i hap udhë largimit të njërit mes zviceranit Rodriguez dhe uruguaianit Diego Laxalt, të cilët luajnë në atë pozicion të fushës.



