Ish sulmuesi i Milanit kritikon ashpër De Ligt: Mendon për klauzolën, pa filluar punë
Juventusi është shumë pranë firmës me mbrojtësin e talentuar holandez, Matthijs De Ligt, por ish sulmuesi i Francës, Christophe Dugarry ka shpërthyer ashpër ndaj 19-vjeçarit, duke kritikuar zgjedhjen e tij.
“Ku ka përfunduar zgjedhja sportive? Të jemi të qartë… Janë Juventus, PSG dhe Barcelona. Por të ishte për zgjedhje sportive, e para në listë do të ishte Barcelona, por De Ligt bëri zgjedhje ekonomike. Ky është imazhi që doni të jepni? Më vjen dëshira për të vjellë. De Ligt është një futbollist shumë i mirë, i shkëlqyer, por me këtë mentalitet nuk do të zgjasë shumë. Është e pamundur”, shkroi Dugarry.
Ish sulmuesi i Milanit dhe Kampioni i Botës me Francën në vitin 1998, e vazhdoi edhe më tej kritikën e tij për zgjedhjen e De Ligt, që pranoi t’i bashkohet Juventusit për një pagë prej 12 milionë eurosh në sezon dhe një kontratë 5-vjeçare.
“Urime presidentit (Al Khelaifit të PSG-së), komplimente Leonardos dhe drejtuesve të tjerë. Le të ndalemi me këtë cirk, ku duam t’i bindim me çdo kusht futbollistët, jam i lodhur nga ky futboll i ri. Pa filluar ende të impenjohet në projektin e skuadrës së re. De Ligt mendon për klauzolën e prishjes së kontratës. Cila është ideja? Çfarë të kalon në kokë? Ke vetëm 19 vjeç dhe 12, 13, 15, 18 apo 20 milionë euro, në një farë mënyre nuk bëjnë ndonjë diferencë të madhe, pasi në fund të fundit do të kesh një shtëpi 50 metra katrorë më të madhe, një makinë më shumë dhe një varkë më të gjatë se 10 metra…”, mbylli reagimin e tij në rrjetet sociale Dugarry.



