Champions League

Përmbys rezultatin me 10 futbollistë, Feronikeli fiton finalen e paraeliminatoreve

Skuadra kampione e Kosovës, Feronikeli ia doli të triumfojë me rezultatin 2-1 në finalen e turit paraeliminator të Ligës së Kampionëve, përballë ekipit nga Andorra Santa Coloma, duke siguruar kalimin në eliminatoret e këtij kompeticioni.

Në sfidën e zhvilluar në stadiumin “Fadil Vokrri” të Prishtinës, skuadra nga Drenasi vuajti jo pak për të fituar, por në fund ia doli të përmbysë disavantazhin, ndonëse luajti thuajse gjatë gjithë pjesës së dytë me një futbollist më pak.

Pjesa e parë përfundoi në barazim pa gola, ndërsa në minutën e 50’, mesfushori anësor Ylli Hoxha mori kartonin e dytë të verdhë, duke lënë skuadrën e Feronikelit me 10 futbollistë në fushën e lojës.

Vetëm dy minuta më vonë, gjërat u komplikuan më shumë për ekipin e drejtuar nga Zekerija Ramadani, pasi skuadra e Santa Colomas kaloi në avantazh me një gol të shënuar nga mesfushori Sosa.

Megjithatë reagimi i skuadrës nga Drenasi ishte vërtetë për t’u admiruar, pasi vetëm 6 minuta më vonë, sulmuesi Mevlan Zeka mori një pasim nga Islami dhe arriti dërgojë topin në portën kundërshtare, duke rikthyer baraspeshën.

Kur kishin mbetur edhe 3 minuta nga vërshëllima finale, ishte “bomberi” Kastriot Rexha ai që pasi mori një pasim nga Astrit Fazlliu, shënoi golin e dytë dhe të fitores, në portën e skuadrës nga Andorra.

Minutat e mbetura nuk sollën asgjë për t’u shënuar, teksa Feronikeli kualifikohet për në fazën eliminatore të Ligës së Kampionëve, ku do të përballet me skuadrën uellsiane të The New Saints, duke pasur shanse reale për të vijuar më gjatë aventurën europiane.

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency