Presidenti i Torinos: Me Europa Leaguen, fituam “titullin e bilanceve”
Milani u përjashtua nga kompeticionet europiane për sezonin 2019-2020, pasi nuk kishte respektuar kriteret e përcaktuara nga Fair Play Financiar gjatë 3 sezoneve të kaluara.
Kuqezinjtë duhej të garonin në Europa League, por tashmë vendin e tyre do ta marrë skuadra e Torinos, që do të nisë garën e saj në fazën e tretë eliminatore të këtij kompeticioni, për të tentuar të sigurojë kalimin në grupe.
Mjaft i lumtur për këtë situatë ishte presidenti i Torinos, Urbano Cairo, i cili tha se është tallur vazhdimisht për respektimin e Fair Play-t Financiar, por se tashmë kishte fituar “trofeun” e tij, me pjesëmarrjen e skuadrës në Europa League.
“Disa talleshin me mua për ‘titullin e bilanceve’, por këtë herë ishte vendimtare, pasi na dha mundësinë të luajmë në Europë. Këtë sezon jemi paraqitur mjaft mirë dhe do të ishte mëkat po të mos luanim në Europë”, tha Urbano Cairo.



