Tirana, java e ardhshme zbardh skuadrën e sezonit të ri
Pas afrimeve të bujshme të kryera ditë më parë, te Tirana janë stopuar. Për momentin, afrimet e Agustin Torrasës, Elton Calesë dhe Idi Bathës janë të vetmet të kryera deri më tani. Lëvizja e parë që drejtuesit e 24 herë kampionëve bënë ishte konfirmimi i trajnerit Ardian Mema, që do të vijojë të jetë timonieri i bardhebluve edicionin e ri.
Pikërisht nga trajneri nisi dhe merkatoja, me Memën që vuri veton për afrimet, ashtu siç bëri edhe me konfirmimet nga skuadra që mbylli sezonin. Megjithatë, koha shtrëngon dhe Tirana do të paraqitet në fushë për të nisur fazën përgatitore, pavarësisht se drejtuesit e klubit janë ende me mendjen te merkatoja.
Jo vetëm Tefik Osmani dhe Ismail Dunga, në listën e dëshirave janë shumë lojtarë të njohur të Superiores. Andi Lila është një dëshirë, ndërkohë që duhet pritur edhe mbyllja e aventurës europiane për klubet shqiptare, pasi objektivat e merkatos janë pjesë e tyre.
Një telenovelë duket edhe çështja e sulmuesit Michael Ngoo, nëse do të rinovojë apo jo me klubin, pavarësisht se këtë edicion është bërë e ditur që të rinjtë do të marrin më shumë hapësira.
Më 5 korrik skuadra do të paraqitet nën urdhrat e trajnerit Ardian Mema, sigurisht pjesa e lojtarëve që janë konfirmuar, ndërkohë që fytyra e plotë e skuadrës do të zbulohet javën e ardhshme. Tirana do të nisë përgatitjet në kompleksin Skënder Halili, për t’u zhvendosur më 15 korrik në Ohër, aty ku grupi parashikohet të jetë i kompletuar.



