Nëse nuk merr Higuainin, Roma do të hidhet në sulm për sulmuesin e Realit
Revolucioni te Real Madridi prek jo pak lojtarë, përfshi këtu edhe Mariano Diaz, që ka përfunduar në “radarët” e Romës, që është vënë në kërkim të një sulmuesi cilësor. Pavarësisht se objektivi i parë i verdhekuqve mbetet Higuain i Juventusit, kryeqytetasit po monitorojnë nga afër edhe situatën e 25-vjeçarit te madrilenët.
Drejtuesit e klubit nga Trigoria gjatë javës do të takohen me përfaqësuesit e lojtarit për të biseduar pikërisht për të ardhmen e sulmuesit. Dëshira e Diaz është të qëndrojë në “Bernabeu” dhe të bindë trajnerin Zidane për cilësitë e tij, por, pavarësisht kësaj dëshire, qëllimet e klubit spanjoll janë që ta shesin futbollistin dhe Roma duket se do të bëjë maksimumin për ta rrëmbyer lojtarin.



