Tirana “kyç” portën, rinovon Ilion Lika, vijnë Bakaj e Qirko
Klubi i Tiranës ka “blinduar” portën, pasi ka rinovuar kontratën me portierin me eksperiencë, Ilion Lika, i cili do të mbajë veshur fanellën bardheblu edhe për një tjetër vit.
Sezonin që lamë pas Lika e mbylli si titullar, duke qenë vendimtar në garën e bardhebluve për mbijetesë dhe duke fituar besimin e ambientit te Tirana, që t’i ofrojnë rinovimin e kontratës.

Përveç Likës, bardheblutë rikthyen në kryeqytet edhe gardianin 31-vjeçar Edvan Bakaj, i cili u rikthye te Tirana pas një shtegtimi në Kosovë dhe te Luftëtari i Gjirokastrës.

Gjithashtu, po sot klubi bardheblu njoftoi edhe arritjen e akordit me portierin e ri të talentuar të Flamurtarit, Pano Qirko, i cili ka nënshkruar një kontratë 3-vjeçare me Tiranën.

Kështu me Likën titullar dhe Bakajn e Qirkon të gatshëm për ta zëvendësuar në rast nevoje, Tirana mbyll merkaton për portierë, duke kompletuar tërësisht këtë repart.
Kujtojmë që pjesë e skuadrës së Tiranës është edhe portieri Alessio Abibi, por ky i fundit është në negociata për t’u larguar jashtë Shqipërisë, ndaj vështirë se do të mbetet gjatë në kryeqytet.



