Leonardo: Çështja Neymar? Nuk ka asnjë të re, mungojnë ofertat
Që braziliani Neymar mezi pret të largohet nga Parisi, kjo nuk është më një sekret, pasi përveç tij ,këtë fakt e ka pranuar edhe klubi francez, por drejtuesi i këtyre të fundit, Leonardo deklaroi se deri tani nuk ka asnjë ofertë.
I pyetur nga gazetarët në prag të ndeshjes miqësore me Nurembergun, Leonardo tha se për Neymar nuk ka trokitur zyrtarisht asnjë skuadër dhe se për sa kohë që nuk ka oferta, atëherë braziliani mbetet pjesë e PSG-së.
“Nëse Neymar do të largohet, ne jemi gati ta lëmë të lirë, por klubet e interesuara duhet të paguajnë. Çështja e tij nuk ka pasur asnjë zhvillim kohët e fundit, pasi nuk na ka ardhur asnjë ofertë zyrtare, ndaj për momentin Neymar mbetet pjesë e PSG-së”, tha Leonardo.
Neymar po shtyn për një rikthim te Barcelona, por katalanët kanë shpenzuar 120 milionë euro për Griezmann dhe e kanë të vështirë të shpenzojnë edhe 250 të tjera për brazilianin, ndërsa nga ana tjetër është PSG-ja që nuk pranon futbollistë të tjerë në këmbim.



