Europa League

Dominim total në futbollin moldav, njihuni me kundërshtarin e Partizanit

Partizani ka një objektiv madhor që nëse realizohet do të ishte suksesi më i madh europian i klubit 16 herë kampion. Ky objektiv ose kjo ëndërr është pjesëmarrja në grupet e Europa Leagues, teksa hapi i parë do të jetë kualifikimi në raundin e 3-të, që jo vetëm do t’i shtonte shanset, por do të dërgonte në llogarinë e klubit të kuq akoma më shumë të ardhura, të cilat vijnë drejtpërdrejt nga UEFA.

Megjithatë për ta bërë diçka të tillë duhet eliminuar një kundërshtar jo i thjeshtë si Sherif Tiraspoli. Skuadra e cila përfaqëson qytetin jug-lindor të Moldavisë është më e suksesshmja në shtetin, i cili shpalli pavarësinë nga ish Bashkimi Sovjetik në vitin 1990. Sherif u formua si klubi në vitin 1997 dhe në 21 sezone ka triumfuar 17 herë në kampionatin moldav, një rekord absolut, madje ka fituar trofeun e kampionit në 7 sezonet e fundit.

Në sezonin aktual që po zhvillohet në Moldavi, i cili përfundon në nëntor, Sherifi ndodhet në krye me 11 pikë më shumë se ndjekësit e Sfintul. Një superfuqi e futbollit moldav edhe në aspektin financiar, me një kompleks stërvitor ultra modern dhe me një stadium prej 14 mijë spektatorësh që konsiderohet ndër më tërheqësit në të gjithë rajonin. Vlera e futbollistëve në treg i afrohet 11 milion eurove, ku më të shtrenjtët janë polaku Jach dhe bjellorusi Kendysh, vlera e të cilëve kap 1.1 milion eurot.

Klubi me mbishkrimin “grenxat” numëron edhe dy ecuri mjaft të suksesshme në Europë, në sezonet 2009-2010, 2010-2011, ku për dy herë radhazi mbërriti deri në grupet e Europa Leagues. Klubi moldav nuk është i panjohur për shqiptarët, pasi në 2010-ën në raundin e dytë kualifikues të Champions Leagues u përballë me Dinamon. Rezultatet ishin 3-1 për Sherifin në Moldavi dhe 1-0 për blutë në Tiranë, me kualifikimin që i shkoi skuadrës së verdhë.

Më pranë kujtesës është dueli me Kukësin në turin e parë eliminator të Champions Leagues më 2017. 1-0 për Sherifin në Tiraspol, ndërsa në Elbasan, kuksianët fituan 2-1, por 11-metërshi i shpërdoruar në fund nga Pejiç, i dha kualifikimin ekipit moldav. Ndërkaq në 2018-ën ekipi nga Tiraspoli doli jashtë Champions Leagues për meritë të Shkëndijës, që barazoi 0-0 në Moldavi dhe fitoi 1-0 në Shkup.

Në këtë fillim sezoni europian edhe Sherifi, po ashtu si Partizani, u eliminua nga raundi i parë i Champions Leagues. “Grenxat” u mposhtën 0-3 në shtëpi ndaj gjeorgjianëve të Saburtalos dhe i shkuan shumë pranë mrekullisë në takimin e kthimit, duke realizuar 3 gola në Gjeorgji, por më pas pësuan 1 gol, i cili i nxori jashtë Championsit.

Në fund, por jo për nga niveli i rëndësisë, Liridon Latifi. Futbollisti i përfaqësueses shqiptare është pjesë e kampionëve të Moldavisë që nga data 24 qershor dhe ka realizuar 3 gola në Kupë dhe një gol në takimin e kthimit në Champions League ndaj Sabutarlos. Në 3 sezonet e tij me Skënderbeun i ka shënuar vetëm një herë Partizanit më 13 Prill të 2015-ës. Kundërshtari është sërish i fortë për “demat”, por vetëm i pakalueshëm nuk është.

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency