Europa League

Partizani-Sheriff Tiraspol, të kuqtë për mbajtur lart flamurin e Superiores

Partizani- Sheriff Tiraspol, një tentativë për të shijuar suksesin përtej kufijve dhe një provë e së vërtetës për kampionët e Shqipërisë. Nëse Qarabagu ishte përtej kapaciteteve (blerjet e kësaj vere kishin mbërritur vetëm prej pak ditësh) dhe Franco Lerda kishte pak kohë që punonte me grupin, këtë herë gjërat janë ndryshe.

Sheriff Tiraspoli, me gjithë respektin, nuk është Qarabagu, afrimet në sulm dhe mesfushë kanë patur disa javë më tepër për t’u përshtatur me grupin dhe idetë dhe trajneri italian më tepër mundësi për të implementuar idetë e tij. Në dy sfidat me Qarabagun përshtypjet ishin pozitive: skuadër e disiplinuar taktikisht dhe me ide të qarta, pavarësisht ndonjë gabimi të sforcuar në mbrojtje dhe vështirësisë për të sulmuar.

Ndaj moldavëve nuk duhet të ekzistojnë. Një gol i pësuar sidomos në shtëpi peshon plumb në ndeshjet me eliminim direkt, ndërkohë që trajneri gjatë gjithë ditëve të stërvitjes ka këmbëngulur në shpejtësinë dhe rrjedhshmërinë e manovrës sulmuese për të gjetur ritmin dhe mënyrën e duhur për të goditur kundërshtarin.

Ndonjë mëdyshje e vogël sa u përket emrave, do të jetë pak a shumë i njëjti formacion, Theofilius Solomonit i duhet të tregojë se di të bëjë më mirë se ai rast i humbur në ndeshjen e fundit me Qarabagun  në qendër të sulmit, nga krahët i sigurt Çinari, ndërsa rrezikon Jasir Asani, me trajnerin që i duhet të vendosë nëse e preferon atë në krah apo do të avancojë William Cordeiron për t’i bërë vend Rron Brojës në mesfushë.

Të gjithë gati për një sfidë ku duhet me çdo kusht një rezultat pozitiv për të rritur vetëbesimin dhe kuotat e për të vulosur kualifikimin në ndeshjen e kthimit në Moldavi. Një kualifikim që vlen edhe të paktën 280 mijë euro në aspektin financiar.

Sërish çmime popullore për tifozët të thërritur për të mbështetur skuadrën në “Selman Stërmasi”, edhe pse për Partizanin këtë herë nuk bëjnë tifo vetëm ata tifozët e kuq, është e vetmja që mban ende lart flamurin e Superiores në terrenin europian.

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency