Serie A

“Trazohet” sulmi i Napolit, planifikohen lëvizje të bujshme

Pasi kompletuan prapavijën me afrimin e grekut Kostas Manolas nga Roma dhe Di Lorenzos nga Empoli, drejtuesit e Napolit kanë përqendruar vëmendjen në repartin e sulmit, ku për momentin janë të konfirmuar vetëm Mertens dhe Insigne.

Arkadiuz Milik ka qenë qendërsulmuesi i skuadrës në 3 sezonet e fundit, por dy dëmtime të rënda radhazi kanë bërë që polaku të mos shpërthejë me gola e lojë dhe që drejtuesit e klubit të shohin për një tjetër emër që do të ofronte garanci.

Emri i parë që “ndez” fantazinë e napolitanëve është ish kapiteni i Interit, Mauro Icardi. De Laurentiis vijon negociatat me bashkëshorten menaxhere të Icardit, Wanda Narën, ndërsa në ditët në vijim pritet që argjentinasi të zhvillojë edhe një bisedë me Ancelottin, për të marrë garanci mbi projektin dhe mënyrën e lojës.

Sipas mediave në Itali, Napoli ka bërë një tentativë të parë për afrimin e Icardit, duke ofruar 50 milionë euro për Interin, por zikaltrit kanë kërkuar 80, megjithatë negociatat vazhdojnë dhe në ditët në vijim mund të ketë një afrim më të madh mes kërkesës dhe ofertës.

Emri tjetër që napolitanët po kërkojnë ta vënë në dispozicion të Carlo Ancelottit është sulmuesi nga Bregu i Fildishtë, Nicolas Pepe, i cili shpërtheu me Lille këtë sezon në Ligën e parë franceze, duke shënuar 22 gola dhe dhënë 11 asiste.

Menaxheri i Pepe ka mbërritur pasditen e sotme me helikopter në Dimaro, qendrën ku klubi i Napolit po zhvillon përgatitjet verore, teksa pritet të takohet me Ancelottin dhe De Laurentiis, për të sistemuar detajet, para se napolitanët të bëjnë sulmin final për të bindur Lille.

E ndërkohë që drejtuesit e Napolit janë të përqendruar të sjellin në skuadër Icardin dhe Pepen, nga Spanja raportohet se drejtuesit e andaluzianëve të Betisit kanë piketuar pikërisht polakun Milik dhe në orët në vijim pritet të nisin negociatat për ta transferuar në La Liga.

Ka qenë vetë drejtori sportiv i andaluzianëve, që i pyetur për mediat vendase tha: Na pëlqen Milik, ose më saktë një sulmues që disponon cilësitë e tij. Megjithatë për momentin nuk mund të them asgjë më shumë.

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency