Manchester United, sulmin e fundit për Eriksenin
Manchester United po punon fort për të nënshkruar me mesfushorin e Tottenhamit, Christian Eriksen, përpara të enjtes, ditë kur mbyllen transferimit në hyrje në Angli.
Përfaqësuesit e mesfusorit danez kanë shpresë se gjithçka do të mbyllet me sukses, me 27-vjeçarin që është në krye të listës së dëshirave të Manchester United.
“Djajtë e Kuq” po këmbëngulin që të plotësojnë organikën me elementët e nevojshëm, në mënyrë që edhe nëse largohet Paul Pogba, apo ndonjë futbollist tjetër me emër, Solskjaer t’i ketë në skuadër alternativat për t’i zëvendësuar.
Ndryshe nga Anglia, në Gjermani, Itali, Spanjë dhe Francë transferimet mbyllen pas më shumë se tri javëve.
Drejtuesit e Tottenhamit kanë shpresë për të arritur një marrëveshje për mesfushorin e Sporting Lisbonës, Bruno Fernandes, që gjithashtu ka qenë objektiv Manchester United.
Eriksen shpresonte se do të transferohej te Real Madridi, por spanjollët kanë shfaqur më shumë interes për Pogbanë dhe Donny van de Beek të Ajaxit.
Nëse Erikseni mbetet te Tottenhami pas afatit të së enjtes, pritet të dalin në skenë Juventusi dhe Atletico Madridi me një ofertë rreth 50 milionë paundë për mesfushorin danez.
Kontrata e Eriksenit me “Spurs” skadon në vitin 2020, që do të thotë se Tottenhami rrezikon ta humbasë verën e ardhshme pa përfituar asgjë nga kartoni i tij.
Klubet e interesuara për Erkisenin u stepën nga kërkesa e lartë prej 130 milionë paundësh e presidentin Daniel Levy. “Djajtë e Kuq” mund të ofrojnë deri gjysmën e kësaj shifre. Nëse marrëveshja nuk arrihet, atëherë klubet e tjera jashtë Anglisë mund ta marrin me çmim edhe më të ulët.



