Hebaj lë “thatë” Vllazninë, transferohet te Vorskla Poltava
Rubin Hebaj do të mbetet thjeshtë një ëndërr vere për Vllazninë. Edhe pse u përfol për një rikthim të sulmuesit shkodran te kuqeblutë pas largimit të tij nga Partizani, diçka e tillë nuk ka ndodhur, pasi mesditën e kësaj të hëne, Hebaj ka zyrtarizuar kalimin e tij në Ukrainë te skuadra e Vorskla Poltavës që vazhdon të mos u ndahet futbollistëve shqiptarë. 21-vjeçari i cili është aktivizuar edhe në kampionatin slloven me skuadrën e Domzales, ka firmosur për 2 vite me skuadrën ukrainase. Hebaj te Vorskla do të kërkojë të ndjekë gjurmët e tre lojtarëve kosovarë, Currit, Dallkut dhe Januzit të cilët mbajtën veshur për shumë vite fanellën e skuadrës ukrainase. Ky transferim është realizuar nga menaxheri i njohur shqiptar Franci Bode.




