Ajaxi kualifikim mes drithërimash, jashtë Porto, Celtic dhe Dinamo Kiev
Ajaxi i Amsterdamit kualifikohet mes drithërimash në fazën play off të Champions League. Finalistët e edicionit të kaluar kishin barazuar 2-2 në fushën e PAOK-ut të Selanikut në ndeshjen e parë, ndërsa në sfidën e kthimit, në kryeqytetin holandez, fituan 3-2. Tadic realizoi 2 nga 3 penalltitë e akorduara për “harkëtarët”, ndërsa një tjetër gol të vendasve e realizoi Tagliafico. Për skuadrën greke hapi dhe mbylli serinë e golave të kësaj sfide Biseswer.
Eliminohet krejt papritur një emër i madh i futbollit europian, Porto, që u mund 2-3 në shtëpi nga skuadra ruse Krasnodar, edhe pse në sfidën e parë portugezët kishin fituar minimalisht në transfertë. Rregulli i golave në fushën kundërshtare i nxori jashtë kompeticionit “dragonjtë”.
Një tjetër surprizë erdhi nga skuadra rumune Cluj, që fitoi 3-4 në fushën e Celtic Glasgow dhe falë barazimit 1-1 në Rumani siguron play off-in.
LASK Linzi eliminoi Baselin me rezultat të përgjithshëm 5-2, ndërsa Dinamo e Kievit u eliminua nga Club Brugge (3-4). Bëjnë detyrën Dinamo e Zagrebit dhe Olympiakos respektivisht përballë Ferencsvarosit dhe Basaksehirit, ndërsa Qarabagu u eliminua nga skuadra qipriote APOEL Nicosia. Rosenborgu kaloi me rezultatin e përgjithshëm 6-2 Mariborin.



