Kategoria Superiore

Duro: Me Partizanin nis një histori tjetër, Shameti u nxitua

Vetë pak ditë pas përplasjes në Superkupën e Shqipërisë, Kukësi ritakohet me Partizanin, këtë radhë për premierën e kampionatit. Shpëtim Duro, trajner i verilindorëve, ndjen keqardhje për disfatën me përmbysje në “Elbasan Arena”, por mendon se e pret një sfidë tjetër, ku do të synohet fitorja.

“Ishim pranë fitimit të Superkupës së Shqipërisë. Për 2 minuta mund ta merrnim trofeun. Më erdhi keq për rezultatin, jo për lojën tonë. Në një periudhë të shkurtër dhe me probleme në formacion, sidomos në mbrojtje, jam befasuar nga loja e skuadrës që drejtoj. A do të jemi nesër në presion nga humbja e finales së Superkupës? Historia e një ndeshjeje me eliminim direkt është gjë tjetër. Kam ardhur këtu për të synuar titullin kampion dhe Kupën e Shqipërisë. Historia fillon nesër me kampionatin dhe Kupën e Shqipërisë. Kam besim se do të bëjmë një ndeshje të mirë.”

Përqendrim maksimal: Nuk do të ndryshoj asgjë nga loja, por duhet më shumë përqendrim në momente të veçanta. Në pjesën e dytë kishim dominim dhe për 2 minuta do të ishte histori tjetër. Pa Valdet Ramën bëmë superndeshje. Imagjinoni po të ishte edhe ai. Gavazaj më ka befasuar, sepse ka 3-4 muaj pa luajtur dhe nuk e prisja atë paraqitje. Largimi i tij dhe i Shkurtajt ndikuan. Nuk dua të ndryshoj asgjë nga loja e shkuar.

Merkatoja: E kam marrë skuadrën vonë. Ka ardhur Obanur, me dy ditë stërvitje mund të luajë të premten. Vjen Abazaj sot në stërvitje dhe në këto kushte duam të marrim pikët e para. Skuadra do kohën dhe momentin e duhur, por nuk kemi çfarë bëjmë. Skuadra do të jetë e fortë gjatë gjithë kampionatit, por koha e shkurtër që kemi në dispozicion është pak problem. Të luash me Partizanin në një moment aq të shpejtë në atë formë dhe të dominosh, kjo nuk është e lehtë. Kjo paraqitje dhe kjo mënyrë loje në skuadër më bëjnë optimist. Me afrimin e Abazajt dhe ndonjë tjetri, skuadra bëhet vërtet e fortë.

“Thumbi” i Shametit: Shametin e respektoj, pasi kam pasur konsiderata për të si njeri dhe si futbollist. Çdokush mund të bëjë deklarata emocionale, por unë nuk kam nxjerrë nga goja asgjë. Shtypi thotë se unë e kam larguar Shametin, por nëse nuk do ta kisha në plane, do ta thoja. Përkundrazi, asnjëherë nuk kam thënë që Shametin nuk e dua. Kam thënë që, nëse është 100%, do të ishte një forcë. Kam thënë se ishte larguar nga 2-3 muaj, por jo që Shameti nuk duhet të jetë. Nuk kam të drejtë të largoj ikona të klubit pa bashkëpunim me drejtuesit. Di që ky cikël u mbyll, kur nuk ra dakord për rinovimin. Këto probleme nuk është hera e parë që ndodhin. Nuk kam asgjë për t’iu përgjigjur, por respekt. Jam i bindur se edhe ai është bërë pishman, pasi është me përvojë dhe televiziv. Është nxituar”.

Reagimi i Gjicit: Si e përjetoi presidenti humbjen e Superkupës? Nuk kam pasur takim me Gjicin. E di që është i mërzitur, por mënyra si humbëm e shton keqardhjen. Kam kontratë me presidentin, e cila nuk kishte lidhje me Superkupën, sidomos për kushtet që kishim. Duam të fitojmë Kupën e Shqipërisë dhe të zëmë dy vendet e para në kampionat. Ky është objektivi që kam pasur.

 

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency