Zgjedhjet e çuditshme të van Dijk: Më i miri… Firmino
Virgil van Dijk është ndër kandidatët kryesorë për të fituar Topin e Artë të radhës, duke sfiduar kështu “yjet” e futbollit që kanë dominuar prej 15 vjetesh, Cristiano Ronaldon dhe Lionel Messin, por gjiganti holandez, kur pyetet se cilin do të votonte për të mirin në botë, nuk zgjedh as luzitanin dhe as argjentinasin.
“Unë do të jem pak i njëanshëm, sepse do të them një nga shokët e mi të skuadrës. Do të zgjidhja Roberto Firminon”.
Një zgjedhje e çuditshme, duke qenë se te Liverpooli luan edhe Salah, apo Mane, që sezonin e kaluar kanë qenë edhe më vendimtarë se braziliani. Disi më e logjikshme përgjigjja e 28-vjeçarit kur i kërkohet të thotë një emër si trajneri më i mirë.
“Ronald Koeman dhe Jurgen Klopp”.
Qendërmbrojtësi e konsideron “Anfield” si stadiumin më të zjarrtë (për nga atmosfera), ku ka luajtur. Si lojtarin më të mirë të të gjitha kohërave nuk preferon Pelenë apo Maradonën, as Ronaldo Fenomenin, por…
“Ronaldinho. Ai ishte një nga idhujt e mi”.
Një figurë tjetër legjendare u zgjodh prej tij si futbollisti më i madh holandez:
“Marco van Basten. Unë kurrë nuk e pashë atë të luante siç duhet, por e di se ishte shumë i mirë”.



