Organikë e kompletuar dhe lojë e mirë, Kukësi i Duros bind në start
Nëse dita e mirë duket që në mëngjes, ekipi i mirë shfaqet që në fillim. Që Kukësi do të ishte pretendentë për titullin kjo nuk kishte asnjë dyshim, por verilindorët jo vetëm që po e tregojnë veten si të tillë, por mbi të gjitha në dy javë janë ekipi që ka luajtur më mirë, ka shënuar më tepër dhe nuk ka pësuar ende asnjë gol.
Nëse fitorja me Flamurtarin, ku jo vetëm diferencat në emra, por dhe në përgatitje, ishte e pritshme, ajo në start ndaj Partizanit ishte edhe një lloj treguesi i Kukësit që do të shohim këtë sezon. Në sfidën e Vlorës, shënoi Shkurtaj dy herë, ekipi krijoi pa fund, Abazaj debutoi vetëm pak orë pas firmës e mbi të gjitha formacioni i Duros shfaqi një lojë dëfryese.
Ka një organikë të pasur lojtarësh, me pozicione pothuajse të dubluara në çdo repart, ofron garanci për vazhdimësinë dhe mbi të gjitha është i qartë që në fillimin e sfidës duke treguar se pavarësisht ndryshimeve të verës, është një ekip i pjekur dhe i ndërgjegjshëm për atë që do të arrijë.
Edhe ai irritim i Gavazaj në momentin e zëvendësimit në Vlorë, më shumë duket si diçka momentale dhe që vështirë se mund të turbullojë një ambient të ndërtuar për të qenë fitues, përkundrazi parë në një tjetër këndvështrim mund të jetë dhe një shenjë e urisë që ka çdo lojtar për të dhënë maksimumin në skuadër, sepse është më se e vërtetë që konkurrenca është ajo që sjell zhvillim.



