Rastësi e këndshme te Partizani, start identik me sezonin e titullit
Për Partizanin, por dhe për tifozët e tij, fillimi i këtij sezoni duket se ka rezervuar një rastësi të këndshme në planin e kujtimeve pavarësisht se në përfundim të dy javëve, të kuqtë me siguri do të kishin dashur të kishin 6 dhe jo 3 pikë në tabelën e renditjes.
Një humbje me Kukësin me 11-metërsh dhe një fitore me Luftëtarin në transfertë, me një gol të Telushit, janë një pasqyrim i asaj që ndodhi dhe një vit më parë në fillimin e kampionatit të të kuqve.
Sezonin e titullit Partizani e nisi me një humbje në transfertë me Skënderbeun, në një përballje që u vendos vetëm nga një 11-metërsh ashtu si këtë vit më Kukësin dhe në javën e dytë një fitore në transfertë ndaj Kamzës, skuadër që gjithashtu shihej si kandidate për t’u rrëzuar një kategori më poshtë, po minimale si këtë vit ndaj Luftëtarit dhe sërish me një gol të të njëjtit lojtar, Bruno Telushit.
Një fillim që do të ishte ogur mirë për Partizanin në vazhdën e kampionatit ku kryeqytetasit nuk u ndalën më në garën drejt titullit. Nëse rastësia është “mbret i botës” atëherë për Partizanin, përpos dëshirës, të paktën në planin e kujtimeve është bukur që i njëjti start i ngjashëm rastisi dhe këtë vit.



